(FOTO: ILir Meta, kryetar i LSI në Konventë sot)
Nga L.Skiro/
Sot Partia LSI, ose Lëvizja Socialiste për Integrim, mblodhi Konventën Zgjedhore. Vëzhguesit “përgjuan” gjithë ditën për ndonjë ide ose akt të ri brenda Konventës. Në fund doli se “përgjimi” ishte i kotë.
Dy a tre gjëra vunë në dukje vëzhguesit:
Vunë në dukje se LSI tha me “sinqeritet” se në fitoret dhe në dështimet e qeverisë aktuale, ka meritën dhe përgjegjësinë LSI… Sigurisht, që ditën kur është themeluar politika me koalicione, kjo dihet. LSI është njëra pjesë e qeverisë, madje me një post të numrit Dy të shtetit. Vallë si mund të mendohej ndryshe, që LSI ditën e dështimit të dilte e fituar?! Absurd. Kjo që tha sot “sinqerisht”, LSI e ka thënë dhjetëra herë.
Vëzhguesit vunë në dukje se LSI mori përsëri autorësinë e Reformës në Drejtësi. Shumë gjë ka ndryshuar në Reformën në Drejtësi, veç një gjë kurrë: Protagonizmi i LSI. Kjo parti asnjëherë nuk ka vënë as edhe një pyetje nëse kjo është Reformë, apo “Reformë”. Ka mijëra arsye për të vënë pyetje shumë serioze para këtij akti që po ndodh në sistemin e drejtësisë, por LSI nuk ë bën këtë. Partia vazhdon t’i qëndrojë në sipërfaqe gjësë, pa kërkuar arsye që të jetë vërtet një Reformë. Nesër kur të dështojë, me siguri do të pajtohet me dështimin. Asgjë e re.
U vu në dukje sot në Konventë se LSI është sulmuese kundër kujtdo që e sulmon. Vetë kryetari i LSI qe i ashpër dhe cinik kundër kritikëve. Ata që kritikojnë LSI- tha ai, do t’i fusim në Vetting. Partia kthehet në pozita totalitariste kur mendon se të gjithë kritikët “do t’i fusë në proces verifikimi”. Këtë e bënte vetëm partia e vjetër e majtë, PPSH.
Konventa nuk kishte asgjë të re, edhe pse tha se mblidhet në situata të reja.
Më në fund, ajo që po thuhet për “elitat e vjetra” që po bien në Europë, këtë ka në thelb, që mbeten te e vjetra, të ajo pikë që nuk flet e nuk thotë gjë të re e nuk bën gjë të re.
Kjo është elita e vjetër, nuk është përtej qiejve.
/Veritas.com.al/