Gjyqtarja Zamira Vyshkja dhe avokati Ilir Pashaj janë arrestuar për ryshfet dhe korrupsion në Elbasan pasi kërkuan 400 mijë lekë për uljen e dënimit me 6 muaj burg ndaj të dënuarit Xhulio Musai. Së bashku me ta janë vënë në pranga edhe 3 familjarë që do të jepnin lekët. GJKKO ka caktuar masat e sigurimit “arrest shtëpie” për gjyqtaren ndërsa “arrest me burg” për avokatin Pashaj dhe dy familjarë të Musajt. Familjari i tretë është lënë në arrest shtëpie.

Hetimet u zhvilluan nga prokurori Edvin Kondili pas denoncimit të familjarëve të të dënuarit Xhulio Musai. Burime bëjnë me dije se në tetor të vitit 2021, avokati Ilir Pashaj, i cili ka qenë gjyqtar por u tërhoq nga frika e vettingut, u tha familjarëve se do i ulte të dënuarit 6 muaj burg për 200 mijë lekë. Pas takimit me gjyqtaren kërkoi 400 mijë lekë, por familjarët e kundërshtuan dhe nuk pranuan të paguanin këtë shumë parash. “Më mirë t’i hajë ai 400 mijë lekë në burg sesa gjyqtarja”, mësohet t’i kenë thënë familjarët.

Burime  bëjnë me dije se KLGJ pritet të mblidhet për të pezulluar nga detyra gjyqtaren. Në njoftimin e SPAK thuhet se gjyqtarja dhe avokati akuzohen për veprat penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim, si dhe “Moskallëzimi i krimit”.