Nëse skepticizmi mbi një nismë rajonale si “Open Balkan” ka qenë më i lartë në fillimet e tij apo tani, kjo gjë pak rëndësi ka.

Nëse në tryezat e para ishin vetëm tre vende, me tre të tjera refuzuese, ndërsa sot janë tre të integruara plotësisht, me dy të interesuara e një kategorikisht mohues, kjo është shumë me rëndësi.

Nisma rajonale për një Ballkan të hapur, është e pamohueshme se ka pasur luhatjet e veta në kohë, mirëpo marrëveshjet mes tre vendeve pjesë e aparatit (Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriu) kanë ecur dhe po shohin fryte të një lehtësimi politik, ekonomik e shoqëror, sa i përket burokracive faktike ndërkufitare.

Pikërisht për këto lehtësira që po shihen dhe për efektet e marrëveshjeve, Mali i Zi e Bosnjë dhe Hercegovina, po tregojnë se një interes për afrim po e kanë karshi nismës rajonale dhe gjuha ndaj “Open Balkan”, nuk është më ajo denigruesja.

Veç një lider ballkanik, ka mbetur kryelartë në mbrojtje të sulmit ndaj Ballkanit të Hapur: Albin Kurti.

Mbi këtë, gazetari i njohur shqiptar, Mero Baze, mendon se nuk ka të bëjë shumë çështja e marrëveshjeve faktike, por çështjet politike vetjake. Mbi të gjitha, një protagonizëm politik i Albin Kurtit.

“Protagonizmi i Albin Kurtit kundër “Ballkanit të Hapur” është politik dhe më shumë se sa më Serbinë, ka lidhje me Shqipërinë. Ai vuan nga ideja fikse se vendimet për botën shqiptare duhet t’i marrë ai dhe fakti që Shqipëria e ka marrë këtë vendim, para atij, e ka bërë atë armik të kësaj nisme”, shkruan Baze në një reagim të tijin mbi çështjen.

Madje, ai vijon edhe më tej, duke e shkoqitur mirë thelbin e duke thënë se “Kurti, e ka inatin me Edi Ramën dhe jo me Vuçiçin në këtë histori”.

Jo kështu e mendon nga ana tjetër gazetari Andi Bushati, i cili qasjen ndaj “Open Balkan”, e ka të ngjashme me Kurtin.

“Kjo që Rama po bën me nismën, është të shkelë Kushtetutën me të dyja këmbët, pasi po i del kundër interesit të popullit të Kosovës”, artikulon Bushati.

Por, si ndikon drejtpërdrejt çështja në Kosovë?

Për profesorin e Universitetit të Agder në Norvegji dhe ekspertit të komunikimit medial e politikës rajonale, Abit Hoxha, mbetja e Kosovës jashtë nismës, do të ishte skenari më i padëshiruar për të.

I pyetur nga Albanian Post mbi çështjen, ai thotë se Kosova nuk duhet të mbesë jashtë iniciativave rajonale ku diskutohet për ekonominë dhe politikën dhe veçanërisht ku të gjitha shtetet përveç Serbisë (dhe Bosnjë e Hercegovina) njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

“Do të ishte humbje diplomatike për diçka që ende nuk është vendosur për formatin dhe mënyrën e bashkëpunimit”, shton ai, teksa shtron pyetjen se, nëse Kosova nuk është pjesë e Ballkanit të Hapur, si do t’i adresojë interesat e veta?

Përtej këtij fakti, sipas Hoxhës, nisma ka ecur shumë ngadalë. Ai sjell në vëmendje edhe fillimet konceptuale, kur ish-presidenti shqiptar, Rexhep Mejdani dhe figura si Adem Demaçi, patën sugjeruar struktura të tilla rajonale.

(Abit Hoxha)

Por, janë veprimet e fundit politike sipas tij nga kryeministrat e Ballkanit, ato të cilat kanë krijuar një momentum politik të ri. Kjo, edhe për arsyet gjeopolitike në të cilat rajoni gjendet.

Sa i përket afrimit të Malit të Zi nën drejtimin e kryeministrit shqiptar Dritan Abazoviç me nismën rajonale, Hoxha nënvizon se kreu i Qeverisë malazeze, përfaqëson një frymë të shoqërisë së hapur dhe modelit të ndërtimit të shtetit civil.

“Abazoviçi megjithatë përfaqëson vullnetin politik të qytetarëve të Malit të Zi dhe kjo është legjitime”, shton studiuesi.

Për të ardhmen, në rast të një aderimi të mundshëm të Kosovës ndërkaq, ai thotë se “do të ishte veçse në interes të Kosovës ky shans”.

Pa lëvizje të lirë, pa iniciativë rajonale

Ndër vendet e Ballkanit, Kosova ka një disfavor të madh, për shkak se ende e vuan (mos)vendimin e Bashkimit Evropian, për liberalizimin e lëvizjes së lirë së shtetasve të Kosovës.

Mbi këto themele, sipas drejtorit ekzekutiv të Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari” dhe ish-kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, Kosova po humb duke mos e pranuar “Open Balkan”.

(Visar Ymeri)

“Krahasuar me vendet e rajonit, Kosova i ka vështirësitë më të mëdha sa i përket qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave. Në këtë drejtim, konsideroj se Kosovës i leverdisin më së shumti nismat rajonale”, theksoi Ymeri pas zhvillimeve të samitit të fundit në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Ndër të tjera, Ymeri thekson edhe se nisma vetë, do të nënkuptonte një zgjerim të tregut për Prishtinën dhe sa më i gjerë të ishte ky treg rajonal, aq më atraktiv do të ishte për investitorët.

Frika e Kosovës se kjo nismë është drejtpërdrejt e sponsorizuar nga Rusia dhe i volit vetëm Serbisë, është një tjetër argument i “bllokadës ideologjike” që Albin Kurti ka krijuar për “Open Balkan”.

Por, sipas analistit politik në Maqedoninë e Veriut, Xhelal Neziri, projekti nuk ka se si të jetë i tillë.

(Gazetari dhe analisti politik, Xhelal Neziri)

“Një nismë që përbëhet nga shtete që janë anëtare të NATO-s, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e në të cilën pritet të inkuadrohen edhe shtete të tjera si Mali i Zi, nuk mund të jetë projekt që do t’i mundësojë Rusisë të shtrijë ndikimin e saj në rajon”, argumenton ai duke u shprehur pro “Open Balkan”.

Fotografia simbolike e samitit, ndryshe nga herët e tjera, pa pesë nga gjashtë përfaqësues ballkanikë bashkë, me në krah Komisionerin evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, si edhe të dërguarin e posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në masë, vetëm Kosova e mbyllur për Ballkanin e Hapur, nuk është një kartolinë shumë e mirë për Prishtinën, sipas ekspertëve.

E megjithatë, qëndrimi nga drejtuesit e vendit, mbetet i qartë: S’njohim “Open Balkan”…/ Albanian Post/