
Për të njëzetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të premten ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
As thirrja e kryediplomates së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas – e cila vizitoi Prishtinën për herë të parë, të enjten – që partitë parlamentare të bashkëpunojnë për ta zhbllokuar ngërçin politik në vend, nuk solli ndryshim.
Dështimi i radhës ndodhi pak pasi disa organizata të shoqërisë civile i bënë thirrje partive “të arrijnë një marrëveshje që i jep fund bllokadës”.
Ato thanë se kriza institucionale me bllokimin e konstituimit të Kuvendit “ka kaluar çdo kufi të tolerueshëm dhe po dëmton jo vetëm Kuvendin, por edhe funksionimin e gjithë sistemit demokratik dhe institucional të vendit”.
Më 23 maj, ligjbërësit refuzuan për të dymbëdhjetën herë rresht që ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.
Çështja e votimit të fshehtë – që u propozua më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post – është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Ato thonë se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë, dhe i kanë kërkuar Kushtetueses të marrë “një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta marrë një vendim”.
Komente