Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka shpallur person të padëshirueshëm në Kosovë, spiunen e arrestuar ruse Daria Asmalovan.

“Si Ministër i Punëve të Brendshme, brenda kompetencave të mia ligjore, bazuar në Ligjin për të Huaj, Nenet 17 dhe 66 A, kam shpallur person të padëshirueshëm në Republikën e Kosovës Daria Asmalovan”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai ka theksuar se hyrja e këtij personi është e ndaluar për pesë vite në territorin e Republikës së Kosovës.

“Kushdo që me qëllime apo direktiva të caktuara cenon apo tenton të destabilizojë vendin tonë, do të përballet pa diskutim me forcën e ligjeve të Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

Autoritetet e Kosovës kanë ndaluar Daria Aslamovan, spiune e inteligjencës ushtarake ruse, e cila po provonte të hynte në Kosovë nga pika kufitare në veri të Kosovës.

Të shtunën, Sveçla ka dhënë detaje e ndalimit të saj.

“Sot, në pikë kalimin kufitar në veri të vendit është ndaluar Daria Aslamova. Shumë shtete e kanë vërtetuar se ajo ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar në petkun e gazetares”, ka shkruar Sveçla në llogarinë e tij në Facebook.

Aslamova është edhe pjesëmarrëse në luftimet në Ukrainë duke propaganduar mbi pushtimin rus ndaj Ukrainës.

“Autoritetet e Republikës së Kosovës kanë qenë në dijeni për veprimtarinë e saj por edhe se në disa shtete ajo e ka të ndaluar të hyjë për shkak të veprimtarisë së saj. Me këtë rast, ajo është ndaluar dhe po vazhdon angazhimi i akterëve përkatës deri në zbardhje të qëllimeve të saj”, shpjegon Sveçla.

Daria Aslamova, spiunia ruse që u ndalua nga autoritetet në Kosovë, vetëm disa orë para se të provonte ta kalonte kufirin në Veri, ishte takuar me një prift ortodoks në Beograd.

Takimin e saj e kishte postuar në llogarinë që ka në Facebook, derisa kishte shkruar se tash nuk i frikësohet betejës.

“Qetësohesh në shpirt kur bekohesh nga peshkopi i Beogradit, Stefan Remesian, Vikar i Dioqezës së Beogradit. Njeri i egër, luftëtar i Krishtit. Pas këtij bekimi që mora, nuk frikësohem të shkoj në betejë”, ka shkrua ajo të premten.

Por, kush është Daria Aslamova?

Pikëpyetjet për të fillojnë qysh me datën e lindjes. Disa burime thonë se ajo ka lindur në kryeqytetin e Armenisë, Jerevan, me datën 9 shtator, 1969.

Por, një version më i besueshëm është dhënë që Aslamova u lind në Khabarovsk, qytet në jug-lindje të Rusisë, po ashtu në shtator të të njëjtit vit.

Çfarë dihet me siguri është shkollimi i saj në Universitetin Shtetëror të Moskës në Departamentin e Gazetarisë.

E famshme do bëhej në vitet 90-të kur punonte për “Komsomolskaya Pravda”, dikur gazetë ruse, tash tabloid me pronar, Grigory Berezkin, që ka lidhje të afërta me Gazprom-in.

“Komsomolskaya Pravda” ishte/është një nga gazetat më të shitura në Rusi për shumë vjet dhe gjithashtu tabloidi më i klikuar rus.

(Fotot që mediat thonë se u bënë në set xhirimes plus 18)

I shërben pushtetit atje dhe njihet për shkrimet konspiracioniste, si ai i vitit 2015 kur në faqen e parë ishte vendosur një artikull që pretendonte se “SHBA-të kanë orkestruar Charlie Hebdo-n”. Shkrimi s’kishte asnjë informacion të bazuar.

Por, Aslamova nuk është spiunia e parë ruse që zihet në Kosovë. Madje, rastet e mëparshme ishin shumë më shqetësuese.

Në maj të vitit 2019 Qeveria e Kosovës kishte shpallur persona non grata, Mikhail Krasnoshchenkov, një zyrtar i misionit të UNMIK-ut formalisht, por realisht një agjent rus.

Po në të njëjtin vit, edhe dy gra të tjera ruse, ishin dyshuar për spine të infiltruara në Kosovë.

Në tetor të vitit të kaluar ishin shpallur edhe dy rusë të tjerë si persona të padëshirueshëm në truallin e Kosovës.

Këtë herë njoftimin e kishte dhënë Presidentja, Vjosa Osmani. Denis Vangerskiit dhe Alexey Krivosheevit ishin dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës ruse në Kosovë.

Arsyeja e dëbimit të tyre ishte “cenimi i sigurisë kombëtare dhe rendit kushtetutës të Republikës së Kosovës”.

Rasti më i freskët ishte ai i ditës së fundit të vitit të kaluar, kur Ministrja e Punëve të Jashtëm të Kosovës, Donika Gërvalla, pati njoftuar se listës non grata i është shtuar një tjetër rus.

Edhe këtë herë, ai spiunonte nën petkun e zyrtarit të UNMIK-ut. /Albanianpost.com