Sot bëhet 19 ditë që kur grupet kriminale serbe kanë vendosur në pjesën veriore të Kosovës dhjetëra barrikada, duke e pamundësuar kështu lëvizjen e lirë të qytetarëve në atë zonë. Sikur të mos mjaftonte kjo, të martën në mbrëmje, serbët vendosën barrikada rreth dy kilometra larg pikëkalimit kufitar në Merdare brenda Serbisë. Si rrjedhojë, ky pikëkalim është mbyllur.

Qindra emigrantë që po kthehen në Kosovë për festat e fundvitit kanë mbetur të bllokuar, duke pritur në kolonë, pas këtij veprimi të serbëve. Nga institucionet kosovare u është bërë apel emigrantëve që t’i zgjedhin pikat e tjera kufitare për të ardhur në Kosovë.

Merdarja – një prej pikëkalimeve kufitare me Serbinë – përdoret në masë të madhe nga diaspora kosovare për hyrje-dalje nga Kosova. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se “grupet kriminale serbe kanë bllokuar pikën kufitare në Merdare”.

Kryeministri Albin Kurti tha se autoritetet ‘nuk do të bisedojnë dhe bashkëpunojnë me kriminelët’ në veri, por do t’i ‘arrestojë ata’. Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti foli për barrikadat e ngritura në veriun e banuar me shumicë serbe, duke argumentuar se ato po cenojnë integritetin territorial të Kosovës.

 “Vendosja e barrikadave në rrugë nuk do të tolerohen, ato do të largohen. Ne i kemi dhënë kohën e mjaftueshme KFOR-it për të vepruar, por sigurisht që kjo kohë po shkon më shpejtësi”- tha Kurti.

Nga ana tjetër presidentja Vjosa Osmani është shfaqur e veshur me rroba ushtarake gjatë një fjalimi vjetor të mbajtur para ushtarëve të Forcave Speciale të Kosovës në kazermën e Istogut.

Një ditë më parë në veri të Kosovës, u vendosën edhe dy barrikada të reja, njëra nga to në afërsi të Lagjes së Boshnjakëve – vendbanim multietnik, ku jetojnë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë – dhe rruga ku është vendosur barrikada është një prej rrugëve që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.

Barrikada në këtë lagje është e para e vendosur brenda ndonjë qyteti në veri, që kur disa serbë lokalë nisën bllokimin e rrugëve më 10 dhjetor. Barrikadat e tjera janë të vendosura kryesisht në rrugë magjistrale që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Ku janë vendosur barrikadat në veri të Kosovë?
Grupe qytetarësh serbë, që nga data 10 dhjetor, kanë ngritur mbi dhjetë barrikada në veri të Kosovës, përkatësisht në rrugët që çojnë kah vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Të fundit janë vendosur më 27 dhjetor në Mitrovicë të Veriut. Barrikadat janë ngritur në shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç.