Pak më parë ishte thënë nga kryetari i LDK, Mustafa, se sot, e hënë, mund të arrihet marrëveshja për koalicion me LVV. Por orët e mëvonshme e kanë ndnryshuar këtë pritshmëri.

Burime brenda LDK-së kanë konfirmuar për Koha.net se takimi mes kryetarit të kësaj partie, Isa Mustafa, dhe atij të Vetëvendosjes, Albin Kurti, do të mbahet pasdite. Po ashtu ky burim ka thënë se LDK-ja nuk do të lëshojë pe nga pozita e kryeparlamentarit.

“Po, takimi do të ndodhë sot pasdite. LDK-ja ka qëndrimin që nuk lëshon pe nga pozita e kryeparlamentarit”, ka thënë ky burim.

LDK-ja në ofertën e fundit publike i kërkoi VV-së ta lëshojë postin e kryeparlamentarit dhe kjo pozitë t’i takojë LDK-së deri në momentin e votimit të presidentit të ri. Pasi të marrë presidentin, LDK-ja ka thënë se do të kthente postin e kryeparlamentarit te VV-ja. Glauk Konjufca i VV-së është kryeparlamentar që nga 26 dhjetori. Ai u votua edhe nga deputetë të LDK-së në seancën konstituive, edhe pse partitë kishin shkuar pa marrëveshje paraprake.

Mustafa kishte konfirmuar se sot takohet me Kurtin, beson në marrëveshje

‘Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa, do të takohen sot, në vazhdën e negociatave për formimin e koalicionit qeverisës’, thuhej në njoftim.

Lajmi ishte konfirmuar nga i pari i LDK-së që, para selisë së partisë, ka thënë para gazetarëve se beson se marrëveshja mund të arrihet. Ai nuk ka specifikuar kohë të takimit.

Veritas.com.al/