Prokuroria speciale në kosovë ka nisur zyrtarisht hetimet për mungesën e rezervave të grurit dhe vajit. Referuar burimeve që kanë folur për median, Nacionale, një grup prokurorësh është angazhuar për të hetuar pagesat që ka kryer qeveria për tu furnizuar me këto dy produkte bazike, furnizime këto që nuk arritën kurrë të rezervat e shtetit.

Hetimet lidhen me përgjimet që u publikuan disa ditë më parë. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë raportohet se ka paguar 10 milionë euro për blerjen e grurit dhe vajit dhe produkteve tjera që e parasheh ligji. Mirëpo afër 300 mijë litra vaj ende nuk kanë ardhur nga kompania polake.

Po ashtu hetimet lidhen edhe me keqpërdorimin e parave për furnizimin me grurë.
Konkretisht akuzat lidhen me kryerjen e një pagese të konsiderueshme për 9 ton grurë që do të blihej për rezervat shtetërore, sasi gruri kjo që nuk arriti kurrë në territorin kosovar.
Me vendim të Qeverisë së Kosovës ishin ndarë miliona euro për blerjen e mallrave për rezervën shtetërore. Në vendimin që e kishte nënshkruar kryeministri, Albin Kurti, ishin përjashtuar procedurat e prokurimit, edhe pse sipas ligjit një gjë e tillë është e domosdoshme.

Konkretisht, ligji parashikon se rezervat duhet t’iu nënshtrohen procedurave të prokurimit. “Procedurat e furnizimit me mallra Departamenti i rezervave shtetërore të mallrave përmes procedurave të prokurimit publik bëjnë furnizimin me mallra të cilat janë paraparë me programin një vjeçar”. thuhet në nenin 19.