Pas publikimit të një audiopërgjimi të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila ku komunikon me zyrtarin e lartë të listës Serbe Slavko Simiç si dhe flitet për kontaktet e Kusari Lilës me Milan Radojçiç, një kriminel i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka pasur edhe reagime të ashpra të Opozitës.

Ish kryeministri i Kosovës, Avdulla Hoti ka shkruar në profilin e tij në FaceBook se mashtrimit i erdhi fundi dhe u tregua se me kë po bashkëpunon qeveria e Kosovës.

“Mashtrimit i erdhi fundi. Sipas asaj që u raportua në media rezulton se përçmimi i Kurtit ndaj aleatëve të Kosovës (me shprehjet: ‘Shtëpia e Verdhë’, ‘Amelika’, ‘Sekretari i Shtetit naiv’, ‘BE-ja tigër prej letre’ e marrëzi të tjera) dhe lavdet për Oliver Ivanoviqin nuk kanë qenë reagime të momentit. Ato reagime duket se kanë qenë të koordinuara. Zonja që shërben si ndërmjetësuese mes Kurtit dhe Radojqiqit shihet se e kryen punën me zell.Kjo zonja ndërmjetësuese, në emër të Kurtit, ka negocuar me atë që është në listë të zezë nga SHBA për shtrirjen e institucioneve të Kosovës në veri, për normalizimin lidhur me furnizimin dhe pagesën e energjisë e çështje të tjera. Ja me kë kordinohen këta mashtrues, e jo me Amerikën.“, tha Hoti.

Ndërsa Shefi i grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri deklaroi se gjëja më e pakët që qeveria e Albin Kurti duhet të bëjë është që të dorëhiqet.

“Përgjimet e sotme janë shumë serioze, jo se është publikuar kjo bisedë por sepse aty shpërfaqet një marrëveshje që ka qenë marrëveshje nga dita e parë e kësaj qeverie. E dyta ajo që duhet fillimisht t trajtojmë serioz është se temat që janë diskutuar në këtë takim janë të interesit shtetërore dhe shkeljet janë flagrante si në aspektin e ligjit dhe moralit. Ne si AAK kërkojmë përgjegjësi nga kryeministri që të në na jap sqarime për këto përgjime. Dorëheqja është më e pakta që duhet të ndodh, kjo tregon fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie”, theksoi Tahiri.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi shkroi në Facebook duke ironizuar Albin Kurtin se nëse bashkëpunimi me Milan Radojçiç ishte me koordinim apo jo, ndërsa Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri i bëri thirrje Prokurorisë në Kosovë që të nisë menjëherë hetimet.

“Dëgjuam përgjime që tregojnë bisedat tua me Radojicin. Bëjmë thirrje te Prokuroria që të marrë hapa që janë në komunikim me ata njerëz që janë në listë të zezë me Amerikën. Po fillon një epokë e re e prezantimit të VV-së me Radojiçiqin .Sot u hap një epokë e re që po e prezanton një bashkëpunimin tuaj me kryekriminelin Radojiçiç.”, u shpreh Abelard Tahiri.

Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dorsa Kica Xhelili ka ironizuar Albin Kurtin duke thënë se pyetja nuk është me koordinim apo pa kordinim por se me kë kordinohesh./