Një pjesë e pedagogëve po vijojnë protestën ku kërkojnë rritje page dhe kushte më të mira mësimdhënie, ndërsa tashmë kanë paralajmëruar edhe se do të futen në grevë urie. Ato i kanë vendosur ultimatum qeverisë, duke thënë se presin një përgjigje deri nesër në orën 16:00, dhe më pas rreth 10 prej tyre nga universitete të ndryshme do të futen në grevë urie brenda ambienteve të Universitetit. Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi tha se greva do të jetë simbolike.

‘‘Presim deri ditën e nesërme, për dy tre çështje kryesore që u kemi kërkuar, nuk janë përgjigjur pozitivisht. Do presim deri në orën katër përgjigjen e qeverisë, në grevë do të futen disa pedagogë, rreth 10… është grevë simbolike. Greva do të mbahen në një ambient të brendshëm të universitetit’, – u shpreh Sandër Kovaçi.

Përgjigjen e kanë marrë menjëherë nga kreu i qeverisë, Edi Rama,  i cili thekson se grevë për rritje rrogë bëjnë vetëm njerëz pa fe e pa atdhe, rublaxhinj pa din e pa iman, foltorexhinj e baltaxhinj që vetëm Shqipërisë e shqiptarëve nuk i shërbejnë. Sipas Ramës, Sandër Kovaçi, të cilin e identifikon si ‘shiksi non grata’, ka marrë urdhër për t’i dhënë ultimatum qeverisë me grevë urie të pedagogëve.

Më 5 tetorQeveria ka vendosur që të rrisë me 15% pagën e pedagogëve, pas protestave të këtyre të fundit. Nga ku 7% do të mbulohet nga buxheti i shtetit dhe 8% do të mbulohet nga vetë bordi i administrimit. Nga ana tjetër pedagogët janë shprehur se kjo rritje është e pa mjaftueshme dhe nuk i  përgjigjet kërkesave dhe nevojave të tyre.