Frrok Çupi/

Të ‘krehurit’ ta sjell në mend menjëherë emri i qytetit ‘Banja’ dhe ‘Luka’, por në fakt nuk është ky thelbi i marrëdhënies së BE me Republika Srpska në Federatën e Bosnjë- Hercegovinës. BE, 23 vjet pas banjës së përgjakshme të luftës në Bosnjë, është kthyer në Banja Luka njësoj siç kthehet gruaja te pasqyra e saj.

Kjo është gjithë ngarkesa e ‘krehjes’ së BE në pasqyrën e Banja Lukës. Tani po është rikthyer dhe e ka gjetur veten më mirë se në Nëntorin e vitit 1995, kur në fund  të Luftës së përgjakshme, fuqitë e mëdha krijuan Federatën me tre kombësi, me tre besime fetare dhe me tre kujdestarë ndërkombëtarë…

Cili është kthimi i BE në Banja Luka?

1.

I dërguari i BE, Ivica Daçiç, ka deklaruar sot se hapi i dytë pas marrëveshjes Thaçi- Vuçiç për shkëmbimin e territoreve të Kosovës, është krijimi i ‘Dayton 2’. Në fakt ka vetëm një ‘Dayton’ dhe ky i përket vitit 1995. Po kaq e saktë është se edhe vetë Daçiç nuk është i dërguar direkt i BE, por me sa duket tani liderët serbë dhe Thaçi shqiptar, po flasin sipas një dirigjimi nga BE. Deri tani është zbuluar se pas planit për shkëmbim territoresh në Ballkan, nga ku ka plasur kundërshtimi dhe frika e konflikteve rajonale e botërore, ndodhen zonja Mogherini dhe zoti Hahn të BE-së. Zoti Dacic është dërguar si skalion i parë për të matur pulsin; dhe thotë se ‘do të krijojmë Dayton 2’ . Kjo do të thotë se do të fshihet ‘Dayton 1’ dhe se do të nisin procedurat për të fshirë edhe Kosovën si shtet i pavarur si dhe për të shpërbërë Federatën e Bosnjës. BE është kthyer në Banja Luka për të testuar deri ku shkon reaksioni.

2.

BE hapi dritën jeshile për një takim ndër-ministerial tre palësh në Banja Luka, dhe takimi do të mbahej nesër, e mërkurë. Tre palët janë Bosnja, Serbia dhe Turqia. Këta (publikisht) do të flisnin mbi një Projekt bashkëpunimi në Europën Juglindore. E thënë më hapur, sajuan një titull projekti, por në thelb do të vendosej sa e fuqishme do të jetë Turqia në Ballkanin ( e ri) përballë Gjermanisë që po kundërshton planin e ndryshimit të kufijve. Por takimi dështoi ende pa nisur. Presidenti i Srpska Republika, Dodiç, nuk i mbajti dot nervat nacionalistë dhe nuk pranoi në takim ministrin e Jashtëm të Kosovës- i ftuar në takim. BE e pa veten në pasqyrë se sa është në gjendje të udhëheqë procese kaq delikate dhe të fuqishme të këtij shekulli. Pasqyra tregoi një BE më të vogël se Banja Luka.

3.

Si e pa BE-në BE-ja në pasqyrën e Banja Lukës?

Një grua të lodhur dhe të mpakur- ja këtë pa. BE nuk mundi të paraprijë ‘sherret ballkanike’ në një takim ministerial thuajse periferik- kjo u pa. As e kishte menduar se çfarë do të ndodhte. Po ta kishte menduar, BE nuk do të lejonte, aq më tepër në këtë periudhë shumë delikate edhe për vetë BE-në. Unioni, pasi i ka ndezur fitilat e ndryshimit të kufijve, nuk është në gjendje që të mbrojë iniciativën e vet. Nuk mund të bëjë as aq sa bën një kryefamiljar tradicional ballkanik në një dasmë të familjes së tij. Edhe në dasmën ballkanike plasin sherre, por ka zot shtëpie. BE nuk e mbulon më këtë mision. BE nuk u bë kurrë organizëm politik; as u bë kurrë qeveri e Europës; as krijoji dot kurrë komb e sovranitet… Një pjesëtar i vogël në një takim ministerial, si zotit Dodiç, e mposhti qëllimin e BE-së për të rivendosur autoritet në kohë krize…

BE as është i bashkuar në operacionin për ndryshimin e hartës së Ballkanit.

4.

Kur pa veten në pasqyrën e Banja Lukës, BE është kthyer të paktën pesë dekada në kohë për të kërkuar fotografitë kur ishte ‘grua e shlodhur’.

Veritas.com.al/