Të shtëna me armë zjarri janë shënuar mëngjesin e së enjtes në zonën e Freskut në Tiranë. Gazetari i ABC News, Ervin Leka raporton se kanë mbetur të vrarë dy persona.
Mësohet se vëllai ka qëlluar të vëllanë dhe më pas ka vrarë edhe veten. Pritet një reagim zyrtar nga policia.
Sipas gazetarit Ervin Leka, nga hetimet paraprake, dyshohet se sherri mes dy vëllezërve ka ndodhur për disa prona në Bulqizë.
“Më datë 04.01.2023, në rrugën “Xhon Belushi”, te Fresku, shtetasi Vehap Cami, 63 vjeç, ka vrarë me armë zjarri vëllanë e tij, shtetasin Lulzim Cami, 68 vjeç, dhe më pas ka vrarë veten. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.”, njoftoi policia.
Një banore dëshmon:
“I dëgjova duke bërtitur. Bërtisnin gratë kur i gjetën. Nuk e di. Nuk i njohim dy vëllezërit. Ky vëllai nuk e di ku rri. Erdhi në mëngjes dhe…”. Kështu u shpreh njëra prej banoreve të zonës teksa u pyet përe ngjarjen e rëndë të ndodhur mëngjesin e së enjtes në Fresk, ku mbetën të vrarë dy vëllezër.
63 vjeçari Vehap Cami qëlloi me armë zjarri të vëllanë 68 vjeçar, Lulëzim Cami dhe më pas kreu vetëvrasje. Gazetari Ervin Leka raportoi më herët se sherri ka ndodhur në banesën e 68 vjeçarit në rrugën “Xhon Belushi” në Fresk, pas një sherri për një tokë që dy vëllezërit kishin në Bulqizë.
Gazetarja Xhensila Kodra raporton se 63 vjeçari jetonte në Lundër. Ai ka shkuar në banesën e të vëllait dhe në momentin e ngjarjes ka pasur edhe familjarë të tjerë që fatmirësisht nuk janë lënduar./abcnews.al