Lajmin e ka bërë të ditur vetë ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Niko Peleshi.
Ai ka theksuar se është shtuar numri i efektivëve, të cilët janë angazhuar në aksionin e shuarjes së zjarrit.
Sakaq, pjesëtarë të Flotiljes Detare në Pashaliman, efektivë të Forcave Speciale, zjarrfikëses së Vlorës dhe vullnetarë po marrin pjesë në shuarjen e zjarrit.
Ndërsa ai u ka bërë thirrje banorëve që të tregojnë kujdes. Kjo për faktin se tymi i krijuar rrezikon qëndrimin në zonë.
“Përpjekjet po vijojnë për të mbajtur situatën nën kontroll”, përmbyllet njoftimi i ministrit.
Më herët Peleshi bëri me dije se disa vatra zjarri – të paktën ato më të rrezikshmet – ishin izoluar nga puna e Forcave të Armatosura, të cilat, gjatë gjithë natës, kanë luftuar me flakët, në një terren shumë të vështirë për natyrën e relievit që ka ishulli shqiptar.
Me zjarret në ishullin e Sazanit kanë qenë të angazhuar prej ditës së djeshme 61 efektivë të forcave të ndryshme. Teksa, rotacione për t’u dhënë kohë pushimi punonjësve janë bërë edhe gjatë natës.