Kanë kaluar tre muaj qëkurse kreu i Qeverisë shqiptare kërkoi nga Policia e Shtetit të zbardhte misterin e zhdukjes së shumëkërkuarit nga drejtësia Ervis Martinaj.

Të enjten e 12 janarit, kryeministri Edi Rama ravijëzoi sërish këtë kërkesë përpara drejtorëve vendorë të policisë, për “zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjeve kriminale që kanë mbetur mister”.

Kjo, në praninë e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi.

Rama ka kërkuar gjithashtu nga autoritetet ligjzbatuese goditje të zyrtarëve dhe punonjësve shtetërorë, të cilët mund të jenë të përfshirë në paligjshmëri dhe korrupsion.

Ai kërkoi po ashtu angazhim maksimal të Policisë për situatën para dhe pas zgjedhore.

Kjo, lidhur me ruajtjen e rendit dhe sigurisë si dhe mospërfshirjes të asnjë prej efektivëve të Policisë në fushata të partive politike.

Për herë të parë që prej publikimit të lajmit se Ervis Martinaj është vrarë, më 7 shtator do të reagonte edhe kryeministri i Shqipërisë.

Rama e bëri të qartë asokohe se kishte ardhur koha që Policia e Shtetit, duhet të reagonte mbi ngjarjen dhe të zbardhte plotësisht se çfarë ka ndodhur me personazhin e botës së krimit të organizuar në Shqipëri.

Në këtë premisë, ai do të shprehej prerazi: Boll më me legjenda! Policia të flasë qartë, e kanë vrarë apo jo?

“Si është e mundur që Policia e Shtetit akoma sot nuk e ka një përgjigje, për fatin e njërit prej profileve më të larta të krimit të organizuar në Shqipëri”, pyeste kreu i Qeverisë.

Më tej, ai shtoi se çështja nuk mund të kthehet në një telenovelë, pasi bëhet fjalë për një prej njerëzve më të kërkuar në Shqipëri.

“Nëse i kërkuari është vrarë t’i thuhet publikut që ky është vrarë. Nëse nuk është vrarë të gjendet, të kapet dhe t’i jepet drejtësisë”, deklaronte kryeministri.