Dilema se  në cilin krah do të qëndrojë kryeministri përballë akuzave të opozitës mbi ministrin Xhafaj, ishte lënë për tú zbuluar sot paradite gjatë një konference të paralajmëruar të kryeministrit Rama. Kjo, në fakt ndodhi.

Por nuk ndodhi siç ishin bërë disa parashikime se “Rama do të lëshojë Xhafën”për ta çuar në dorëheqje. Nga informacionet e para që vijnë nga mbledhja e Grupit Parlamentar të PS ku po flet kryeministri, del se Rama ka marrë hapur anën e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Rama ka ironizuar opozitën dhe kërkesën e saj për dorëheqje ndaj Xhafës, duke thënë se sipas opozitës “ministri i brendshëm paska qenë një desant”.

Por ndërkohë, Rama është mbajtur në vlerat që e lidhin ministrin Xhafaj me punët e kryera nën kujdesin e aleatëve perëndimorë. Ai ka thënë se, sipas opozitës “drejtuesi i Reformës në drejtësi na qenka kryetar i familjes së dytë mafioze në Ballkan”. Rama i ka dhënë hije të rëndë pro- perëndimore ministrit Xhafaj, duke ulur në minimum peshën e kërkesës së opozitës për dorëheqje.

Duket se Rama ka lëshuar një mesazh për opozitën PD si dhe ‘opozitën’ brenda PS, se në qoftë se preket Xhafaj, atëherë preken interesat e reformave pro- perëndimore në Shqipëri.

Dera që ka mbyllur Rama ka peshë më të madhe se kërkesa për dorëheqje ndaj ministrit Xhafaj.

Veritas.com.al/