Kryenegociatori i Shqipërisë me BE, Zef Mazi, ka folur për marrjen e këtij posti të rëndësishëm, duke falenderuar kryeministrin Edi Rama.
Mazi tha se posti i tij është mbi politikën pasi është një detyrë kombëtare.
“Kur mora këtë post, kur Rama më propozoi këtë post, ndjeva një krenari personale. Që nga një post që kisha rikthehem aty ku e kam filluar karrierën para 43 vitesh. Është mirë që në këtë post të jesh me përgjegjësi. E mora postin dhe jam mirënjohës kryeministrit. As nuk kam qenë dhe as nuk jam anëtarë i një partie. Është pozicion i shkëputur nga politika dhe është shtetëror. Është një proces mbipartiak.” tha Mazi për ABC.
Kujtojmë se më 19 korrik Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut morën dritëën jeshile për hapjen e negociatave drejt BE-së.
Gjatë konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se vitet e fundit kanë qenë një sagë e vërtetë, me punë, vlerësime, pritje, premtime të pambajtura dhe rinisje të mundimshme, duke shtuar më tej se Shqipërinë e pret një mision dhe një punë e madhe.