Pas vendimit të Gjykatës së Romës për kthimin e emigrantëve nga qendra e Gjadrit në Shëngjin drejt Italisë, Këshilli italian i Ministrave miratoi një dekret të ri për këtë çështje, raportojnë mediat italiane.
Dekreti i qeverisë synon të tejkalojë ngërçin e krijuar pasi gjykata e Romës vendosi javën e kaluar që grupi i parë i azilkërkuesve të mbërritur në qendrën e Gjadrit në Shëngjin duhet të ktheheshin në Itali sepse vendet e tyre të origjinës – Egjipti dhe Bangladeshi – nuk mund të konsideroheshin të sigurta.
Nisma e qeverisë italiane propozon dërgimin në Shqipëri të emigrantëve meshkuj nga të ashtuquajturat “vendet e sigurta”, që do të thotë se ata kanë pak shanse për të fituar azil. Nëse, siç pritej, kërkesa e tyre për qëndrim në Itali do të refuzohej, ata do të riatdhesoheshin.
Megjithatë, vendimi i gjykatës së Romës vuri në pikëpyetje të gjithë projektin italian dhe shkaktoi një përplasje midis administratës së djathtë të kryeministrres Giorgia Meloni dhe gjyqësorit.
Duke kërkuar për të kapërcyer këtë pengesë të papritur ligjore, qeveria përmirësoi statusin ligjor të listës së saj të vendeve të sigurta, duke e bërë atë një akt ligjor dhe jo një dekret më të vogël ministror, duke besuar se kjo do të thotë se do të jetë më e vështirë për gjykatat të kundërshtojnë vlefshmërinë e tij.
Në dekretin legjislativ të miratuar nga Këshilli i Ministrave, u hoqën vendet për të cilat parashikoheshin “përjashtimet territoriale” (Kameruni, Kolumbia dhe Nigeria) për shkak të shqetësimeve specifike në lidhje me situatën e sigurisë në ato vende. Lista e re e vendeve të sigurta shkon nga 22 në 19.
“(Lëvizja jonë) rrjedh nga një vendim shumë i detajuar i Gjykatës së Drejtësisë së BE-së që ndoshta nuk u kuptua mirë,” u tha gazetarëve ministri i Drejtësisë Carlo Nordio./abcnews.al