Dy vëllezër të moshës 29 dhe 38 vjeç janë arrestuar pasi kanë kundërshtuar dhe ushtruar dhunë ndaj punonjësve të Policisë së Forcave të Posaçme “Shqiponja”.

Gjithashtu mësohet se një 19-vjeçar është proceduar penalisht për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.

“Gjatë patrullimit të zakonshëm në sheshin “Prek Cali”, punonjësit e Policisë të Forcës së Posaçme “Shqiponja” kanë konstatuar një automjet dhe i kanë bërë me shenjë që të ndalonte, për të ushtruar kontroll për sende të kundërligjshme. Automjeti drejtohej nga një shtetas  19 vjeç. Gjatë kontrollit fizik , ky shtetas ka tentuar të largohet me vrap, por është kapur dhe ndaluar nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”. Në momentin e shoqërimit të automjetit, shërbimet e Policisë janë kundërshtuar me forcë nga shtetasit  29 vjeç dhe  38 vjeç (vellezër), të cilët kanë kryer veprime të dhunshme gjatë shoqërimit të automjetit dhe në ambientet e brendshme të Drejtorisë Vendore”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.