Në mbledhjen e përbashkët mes të dy kuvendeve, nga Shqipëria do të vijnë vetëm 60 deputetë, ndërsa partitë në Kosovë kanë mbetur për të konfirmuar numrin e deputetëve që do të marrin pjesë për shkak të hapësirës.

Në agjendë do të jetë fjalimi i dy kryetarëve të Kuvendeve, adresimi i dy kryeministrave dhe adresimi i kryetarëve të grupeve parlamentare.

Mbajtja e kësaj seance në këtë kohë është e vetmja periudhë kohore që legjislatura e Kosovës mund të mblidhet për shkak të zgjedhjeve në shkurt.

Mbledhja e përbashkët mes dy qeverive do të mbahet me 20 dhjetor në Prishtinë

Në total pritet që të mblidhen 130 deputetë, 70 ligjvënës të parlamentit të Kosovës dhe 60 të tjerë të parlamentit të Shqipërisë. I pranishëm në këtë takim do të jenë edhe kryeministri Edi Rama edhe kreu i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti.

Në agjendën e parashikuar të këtij takimi që këtë herë do të zhvillohet në Prishtinë, është parashikuar që pas himneve të të dyja vendeve, do të nisë mbledhja me fjalën e kryeparlamentarit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe pas tij kryeparlamentarja e Shqipërisë, Elisa Spiropali. Ky takim do të përmbyllet me një fjalim të Kurtit dhe Ramës.

“Në datën 20 dhjetor, ora 11:00, në Prishtinë, në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës, do të zhvillohet mbledhja e përbashkët e Kuvendit të Shqipërisë dhe e Kuvendit të Kosovës”, njoftoi Kuvendi i Shqipërisë.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, tha se mbledhja e përbashkët të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës, e cila mbahet në Prishtinë, në 20 dhjetor, është nevojë e koordinimit të agjendës tonë kombëtare.

“Ky Kuvend i përbashkët vjen si nevojë e koordinimit të agjendës tonë kombëtare për realizimin e objektivave strategjike, anëtarësimin e Shqipërisë në BE, integrimet euro-atlantike të Kosovës, mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe rritjen e kontributit të faktorit shqiptar në zhvillimin, demokratizimin, paqen e sigurinë në rajon e më gjerë”.

Mbledhja e fundit mes dy kuvendeve ka qenë më 27 Nëntor 2022 me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës u mblodh sot në orën 11:00. Në rendin e ditës së kësaj mbledhjeje është organizimi i seancës së përbashkët parlamentare Kosovë-Shqipëri.

Kujtojmë se që nga viti 2022, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë nuk kanë zhvilluar mbledhje të përbashkët.

Pas anulimit që i bëri kryeministri i Shqipërisë mbledhjes së vitit 2023, ende nuk është caktuar ndonjë datë se kur do të mblidhen dy qeveritë.

Tradita e mbledhjeve ndërmjet dy qeverive kishte filluar në vitin 2014, ku dy qeveritë ishin takuar në Prizren, qytetin e Lidhjes së Prizrenit me motin “Qyteti i Lidhjes ju mirëpret”. Atë kohë Qeveria në Kosovë drejtohej nga Hashim Thaçi.

Mbledhja tjetër e përbashkët ishte mbajtur në 23 mars 2015 në Tiranë me motin “Një tokë, një popull, një ëndërr”. Në atë kohë në Qeveri ishte Isa Mustafa.

Në vitin 2016 mbledhja ishte kthyer në Prishtinë, po ashtu kryeministër ishte Isa Mustafa.

Ndërsa në vitin 2017 dy qeveritë shqiptare u bënë bashkë në qytetin e Korçës, të udhëhequra nga Edi Rama e Ramush Haradinaj.

Në vitin 2018 mbledhja u mbajt në Pejë më 26 nëntor, edhe në këtë vit në qeverisje ishte Ramush Haradinaj. Në vitin 2020 mbledhja e dy kabineteve u zhvillua në Tiranë nga Qeveria Hoti dhe ajo Rama 2. Në vitin 2021 Qeveria Kurti dhe Qeveria Rama u takuan në Elbasan.

Takimi i fundit mes kabinetit të Kurti dhe Ramës u zhvillua në Prishtinë , më 20 qershor 2022. Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë arritën dakordësi për 19 pika në sektorë të ndryshëm.

Marrëveshjet e Ministrive të Arsimit, Marrëveshje për energjinë, Marrëveshje në bujqësi, Marrëveshja për hekurudhën, Marrëveshje në shëndetësi, Marrëveshje në turizëm.

Në mesin 13 marrëveshjeve të nënshkruara, ishin edhe lehtësimi i procedurës për marrjen e leje-qëndrimit, rregullimi i regjimit të trafikut lokal të kufirit, hapja e pikës së përbashkët të kalimit kufitar mes Kukësit dhe Dragashit, lehtësira në procedura doganore dhe kontroll të mallrave, kalendari i përbashkët kulturor vjetor mes dy vendeve dhe njohja e diplomave.

Në vitin 2020 u nënshkrua edhe një deklaratë e përbashkët ndërmjet dy qeverive dhe Këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë, për t’i rekomanduar Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Shqipërisë mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në mes të dy qeverive.

Në mbledhjet e mbajtura deri më tani janë nënshkruar rreth 100 marrëveshje. Përgjatë viteve kryeministrat e dy shteteve kanë thënë se këto marrëveshje do të lehtësojnë jetën e qytetarëve në të dyja anët e kufirit.   (A2 Televizion)

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *