
Qytetarët e Kosovës votuan të dielën në zgjedhjet lokale për kryetarët dhe këshillat e rinj në 38 komuna.
Në bazë të numërimit të deritanishëm të votave, në 21 komuna qytetarët kanë zgjedhur që në rundin e parë krerët e komunave, ndërkaq në 17 të tjerat do të zhvillohet rundi i balotazhit.
Kryeqyteti Prishtina është në mesin e komunave që do të shkojnë në balotazh kur do të përballen Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Sipas rezultateve preliminare, në Prishtinë do të përballen Përparim Rama i LDK me Hajrullah Çekun e LVV.
Në rundin e parë të zgjedhjeve Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës fituan në tre komuna, LDK në dy, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma e kanë fituar nga një komunë, sikurse edhe Ramiz Lladrovci me listën e tij në Drenas. Ndërkohë Vetëvendosje është në balotazh në 12 komuna, PDK ne 6 komuna, Lidhja Demokratike e Kosovës në 8 komuna dhe Aleanca në 4.
Në Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok kanë fituar kandidatë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, të mbështetur nga Beogradi. Gjatë ditës së zgjedhjeve, serbët në Mitrovicën e Veriut u nisën në grup nën udhëheqjen e Listës Serbe për të marr pjesë në votime.
Në këtë proces kishin të drejtë vote 2 milionë e 69 mijë e 98 votues brenda Kosovës, ndërsa rreth 44 mijë votues kanë qenë të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, votuan vetëm 38,87% e qytetarëve.
KQZ tha se pret që brenda javës të përmbyllë numërimin e të gjitha votave, përfshirë atyre me postë.
Në lidhje me zgjedhjet reagoi edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ai uroi “për fitoren” Listën Serbe, partinë kryesore të serbëve në Kosovë që Beogradi e mbështet.
“Edhe një fitore tjetër… Urime Listës Serbe dhe njerëzve tanë të palodhur në Zyrën për Kosovën”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Kosova i mbajti këto zgjedhje pa një qeveri qendrore. Lokalet ishin një provë gjenerale për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të parakohshme që pritet të mbahen deri në fund të vitit, nëse nuk shfrytëzohen afatet ligjore nga ana e Kurtit për të formuar një qeveri.
Komente