Një edukatore e kopshtit ‘4 Stinët’ në Tiranë është arrestuar me akuzën e ‘dhunës ndaj fëmijës së mitur’. Nëna e fëmijës 20 muajsh kishte vënë re shenja dhune në trupin e fëmijës, krahë të nxira dhe shenjë=a të tjerë. Atëherë vendosi ta vëzhgojë çfarë ndodh në kopsht.  Ajo është detyruar të shkojë pranë kopshtit për të kërkuar arsyet se çfarë po ndodhte me fëmijën e saj vetëm 20 muajsh. Ka kërkuar kamerat e sigurisë që vëzhgonin ambientet e brendshme dhe të jashtme të kopshtit, dhe është tmerruar nga ajo që ka parë.

Denida Rexhepi, edukatorja 30­ vjeçare nga Elbasani, e veshur me përparësen e bardhë hipën mbi tavolinat ku ushqehen dhe luajnë fëmijët, dhe kap për flokësh një prej tyre. Nëna, rrëfen se nuk ka pasur më zemër të shohë të plotë videon. Është ngritur me rrahjet e zemrës që gati sa nuk ja nxirrnin vendit, ka marrë fëmijën e saj dhe është larguar. Si një nënë e guximshme ajo ka kërkuar të kontaktojë edhe me prindërit e tjerë, për të mos e lënë me kaq këtë skandal që ndodhte brenda ambienteve të kopshtit “4 Stinët” aty ku prindërit paguajnë para në mënyrë që edukatore të shkolluara e trajnuara të kujdesen për fëmijët e tyre.

Nëna 28 ­vjeçare është lidhur në kontakt me një nënë tjetër, 19 ­vjeçare e cila gjithashtu kishte parë shqetësime tek fëmija i saj. Kështu të dyja kanë parë kamerat e sigurisë nga 30-­31 maj, dhe aty kanë faktuar dhunën që edukatorja Denida Rexhepi ushtronte ndaj fëmijëve. Të dyja kanë bërë kallëzim në komisariatin numër dy në Tiranë, duke çuar në prangosjen e edukatores e cila tashmë do të përballet me akuzën e keqtrajtimit të të miturve.

Si rasti te  “Katër stinët” janë të shumtë rastet e dhunës ndaj fëmijëve, dhe askush deri më sot nuk e kishte ngritur zërin për të denoncuar këtë skandal. Po ashtu, duket se edhe vendosja e kamerave të sigurisë është sa për “sy e faqe”.

Por një pyetje del natyrshëm: Vallë këto edukatore, ose edhe prindër që dhunojnë fëmijën, a kanë fituar të paktën minimumin e informacionit që lidhet me dhunën dhe ‘pagesën’ ndaj dhunës? Në qoftë se këta nuk kanë sentimentin e duhur që të stepen para aktit të dhunës, vallë nuk kanë mësuar se ka ligje që e ndëshkojnë rëndë dhunën mbi fëmijën? Para se të bëhesh prind, me siguri ke fituar aq maturi dhe dituri sa të mos ushtrosh dhunë ‘pa kufi”. Aq më tepër po të marrësh përsipër misionin e edukatores, a mund ta bësh vallë këtë pa njohur ligjet që përcaktojnë rolin tënd?

Por të paktën lajme nuk lexojnë dhe as shikojnë këto edukatore? Sa raste të ‘frikshme’ kanë dalë në publik, që janë ndëshkuar fort; dhe këta akoma vazhdojnë të dhunojnë…

/Veritas.com.al/