Braziliani Silvinho sipas të gjitha gjasave do jetë trajneri i ri i kombëtares shqiptare. Burime të Report TV në Federatën Shqiptare bëjnë me dije se 48-vjeçari do të zyrtarizohet si pasuesi i Edy Reja-s në ditët e para të janarit. Ai ka qenë ndihmësi i trajnerit Titte te Brazili dhe ndihmësi i Mancinit te Interi, ndërsa në 2019 ka drejtuar për herë të parë i vetëm Lyonin.
Pasuesi i Edy Reja-s si trajner i kombëtares shqiptare do jetë braziliani Sylvinho. 48-vjeçari është zgjedhur nga drejtuesit e FSHF-së si trajneri me të cilin kërkojnë të arrijnë objektivin e kualifikimit në Europianin e 2024.
Që prej fillimit të muajit dhjetor janë zhvilluar bisedime me tre trajnerë të ndryshëm, por në fund ka qenë braziliani i cili ka bindur presidentin Duka. Burime për Report TV bëjnë me dije se emrat e dy trajnerëve të tjerë me të cilët janë zhvilluat takime janë Felix Magath dhe Reinaldo Rueda. Ende nuk janë zbuluar detajet e kontratës, por Sylvinho do të zyrtarizohet në ditët e para të janarit.
Pasi mbylli karrierën si futbollist, duke luajtur me disa klube prestigjioze si Arsenal, Barcelona dhe Manchester City, mbrojtësi i krahut nisi karrierën si trajner, duke asistuar Titte-n fillimisht te Corianthias dhe më pas te kombëtarja e Brazilit. Të njëjtën gjë Sylvinho bëri edhe te Inter, duke asistuar Roberto Mancinin.
Ekpserienca e parë si trajner kryesor për brazilianin ishte te Lyon-i në Ligue 1, por nuk zgjati më shumë se 5 muaj, ndërsa nga 2021 ishte i emëruar te Corinthias. Mirëpo që prej shkurtit të këtij viti Sylvinho ishte në pritje të një pune.