Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, do të jetë Presidenti i ri i Emirateve të Bashkuara Arabe. Vendimi është marrë nga Këshilli i Lartë Federal, një ditë pasi u nda nga jeta Presidenti Sheikh Khalifa, në moshën 73-vjeçare.

Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, u zgjodh ditën e sotme, edhe pse prej vitesh konsiderohej sundimtari ‘de fakto’ i Emirateve të Bashkuara Arabe.

Kryeministri Edi Rama ka uruar Mohammed bin Zayed për zgjedhjen e tij si president i Emirateve të Bashkuara Arabe. Përmes një postimi në ’Twitter’ Rama shkruan se e vlerëson mirësinë e tij unike, udhëheqjen por edhe vizionin e tij.

Shqipëria ka një marrëdhënie të veçantë me Emiratet e Bashkuara Arabe. Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar disa takime dhe biseda telefonike me presidentin Mohammed bin Zayed. Ky i fundit i është gjetur pranë shqiptarëve në situata më të vështira, siç është tërmeti tragjik i 26 nëntorit, ku ka financuar ndërtimin e një lagjeje të re në Durrës.

Por, ajo që do të mbesë gjithmonë në historinë e shqiptarëve për marrëdhëniet me Emiratet e Bashkuara është ndihma që kanë dhënë për Kosovën në periudhën e luftës. Ka qenë vetë princi i kurorës Mohammed bin Zayed (tashmë presidenti i zgjedhur) që erdhi në aeroportin e Kukësit për të shpërndarë ndihmat. Sot, Aeroporti i Kukësit ‘Zayed, Flatrat e Veriut’, një investim direkt i tyre, mban emrin e babait të tij presidentit, Zayed bin Sultan Al Nahyan, në nder të mbështetjes që kanë dhënë për shqiptarët.

Sheikh Khalifa, i cili vdiq dje, ishte President i Emirateve të Bashkuara Arabe prej vitit 2004, por roli i tij ka qenë kryesisht ceremonial, që kur ai pësoi një goditje në tru në vitin 2014. Përveçse ishte president i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Khalifa ishte gjithashtu sundimtar i Abu Dhabit, kryeqyteti i pasur me naftë i shtatë Emirateve që përbëjnë Emiratet e Bashkuara Arabe. Ministria e Çështjeve Presidenciale shpalli 40 ditë zie me flamuj në gjysmështizë këtë të premte, dhe pezulloi punën në sektorin publik dhe privat për tre ditët e para.

Në janar 2014, Khalifa pësoi një hemorragji cerebrale dhe Mohamed bin Zayed Al Nahyan u bë sundimtari de fakto i Abu Dhabit.