Koment nga: Veritas.

Kuvendi, në seancën parlamentare të ditës së sotme ka vendosur të mbyllë të gjithë lokalet apo hapësirat për zhvillimin e lojërave të fatit. ‘Fshira’ e lojërave të fatit bëhet me qëllim që njerëzit të kenë më shumë ‘fat’ për familjet e tyre, për një garanci më shumë në jetën familjare e personale dhe për të bërë më të mundur gjuetinë kundër krimit…

Debati me këto ide ka kohë që po zhvillohet mes nesh. Qeveria, e cila kishte premtuar që në vitin 2013 se do të mbyllte lojërat e fatit përmes një operacioni policor “Fundi i Marrëzisë’ në fakt shtoi edhe një marrëzi tjetër duke manifestuar se shteti nuk është aq i fuqishëm sa pronarët e pikave të lojërave të fatit, të cilët- siç tha kryeministri Rama- janë ‘me precedentë kriminal’.

Para pak muajsh qeveria u kthye përsëri në këtë stad, duke u betuar se tani e ka seriozisht.

Opozita nuk e pranoi iniciativën ligjore të qeverisë, madje bëri shumë insinuata se këto pika të lojërave të fatit mbyllen me qëllim që ‘ti marrë nën sundim vëllai i kryeministrit’. Por ja që në fakt sot u miratua ligji për ndalimin e tyre.

Sipas përshkrimeve të kryeministrit Rama, të parët që do të gëzojnë frytet e këtij ligji, janë gratë dhe fëmijët, sepse burri dhe babai do të vijnë më shpejt në shtëpi dhe nuk do të humbin paratë nëpër kazino.

Pas miratimit ne Kuvend të ligjit për ndalimin e ‘Lojërave te fatit’, vjen reagimi i fundit nga kryeministri Edi Rama:

“Kuvendi sapo miratoi me 100% të deputetëve të pranishëm NDALIMIN E BIXHOZiT (kazino elektronike dhe baste të çdo lloji off apo online) në 31 dhjetor. Fjalët mbrapsht shpifësve të çdo kanali e portali, ndërsa me aktorët e Kinoshqupit kemi dhe gjyqet se do paguajnë një më një ata”, shkruan Rama.

Që nga data 31 dhjetor ata që kanë fat, e kanë; por lojëra fati nuk do të ketë më- sipas ligjit.

Veritas.com.al/