Laert Skiro/
Sot në mëngjes, rreth orës 2.30, është liruar gazetari Artan Hoxha nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ai ishte thërritur nga prokurori Kulluri, i cili po ndjek çështjen kriminale të zbarkimit të një avioni të vogël italian në fshatin Ishëm të Durrësit, ku do të ngarkohej me bimë narkotike për t’i shkarkuar në Itali. Gazetari u mor nga prokurori menjëherë sapo përfundoi një emision televiziv, “Opinion” i TV Klan, ku sapo kishte deklaruar se “piloti italian Guido Guidi, i kapur në Ishëm, ka deklaruar se do të inspektonte pistën e re të ndërtuar posaçërisht për uljen e avionëve të drogës” dhe se “pas kësaj do të transportonte 200 kilogramë kanabis”.
Dëshminë e gazetarit, Prokurori e ka konsideruar “prishje të provave në krim”. Sipas prokurorit, duke u shpallur një dëshmi e tillë, “mafiozët e tjerë që presin drogë ose dërgojnë drogë nga Shqipëria, marrin sinjale dhe ndërtojnë strategji të reja”.
Kjo ishte e tëra. Gazetari Hoxha u mor në pyetje rreth tre orë dhe pas kësaj u la i lirë. Mediat, sidomos mediat online nuk kanë pushuar me informacione, sado të vogla, qoftë edhe duke treguar s kush po e priste gazetarin Hoxha, me ç’makinë udhëtoi, etj. Megjithatë, në momentin kur gazetari doli nga dyert e Prokurorisë deklaroi se “nuk e tregon burimin e informacionit”. Prokuroria i ka mbajtur celularët, me të cilët mund të ketë komunikuar.
Ndërkohë , gjatë bisedave dhe shkëmbimit të informacionit mes mediave, është thënë se në “nxjerrjen e informacionit që prish provat e hetimit” është i përfshirë edhe vetë Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Ky i paska dërguar sms gazetarit Hoxha, i njohur si hulumtues në fushën e krimit, me anë të të cilit i ka dhënë këtë informacion. Një gjë të tillë e ka dëshmuar dhe Hoxha gjatë emisionit televiziv.
Po atëherë, pse gjithë ky konfuzion? A u prishën provat? Kush i prishi? Cilat janë arsyet?…
Vetëm pyetja e fundit kërkon arsyetim më të holllë, sepse do një analizë të pavarur. Ndërsa për të tjerat, përgjigjet kanë dalë sheshit sapo kanë lindur. Është e qartë: Nëse Ministri i Brendshëm përfshihet në vepra kriminale të “prishjes së provave të krimit”, atëherë askush tjetër nuk ka pse paragjykohet dhe as merret në pyetje.
Po pse gazetari ndryshoi dëshminë, nga një kallëzim mediatik për sms-të e ministrit, në një mohim “profesionale gazetaresk” gjatë pyetjeve në prokurori? Apo në Prokurori kanë rënë dakord të dy palët që të mos nxirret ministri si informator? Apo gazetari ka thënë “ashtu kot” se i ka thënë ministri? Gazetari Hoxha është shumë aktiv në fushën e kallëzimit të krimit, madje duket më shumë aktiv se sa vetë krimi; nganjëherë bëhet i pabesueshëm me volumin e dëshmive pa dëshmuar prova.
Por është edhe një e vërtetë tjetër: Ministri i Brendshëm është përfshirë në një “PR” të ethshëm për të manifestuar se po punon kundër krimit. Ka angazhuar gazetarë në udhëtimet e tij drejt parcelave të drogës dhe ka bërë show mdiatik. Sigurisht, gazetarët mund të mos kenë kuptuar aspak se ministri i ka përdorur për të fshehur krimin; aty ku kanë shkuar gazetarët kanë qenë parcela të blera anga policia për t’i djegur që të dëshmohet “sa e fuqishme është policia”.
Apo do të dalë se vetë Ministri e ka përhapur informacionin që “prish provat e krimit” edhe përmes këtij gazetari? A mund ta bëjë prokuroria këtë akuzë? Kjo duket e vështirë në momentet e tanishme kur “qeverisja e drogës” është shumë e sofistikuar nga vetë qeveria Rama. Prokuroria është e kontrolluar nga qeveria.
Po sikur vërtet ministri ta ketë kryer krimin e “prishjes së provave” duke informuar tërthorazi autorët e krimit; a mos vallë pikërisht këtu qëndron gjithë pesha e këtij teatri?!
Ja këtu qëndron; por a mund ta tregojë prokuroria? Në qoftë se ministri është detyruar të prishë provat e krimit, ai e ka bërë këtë për të njoftuar rrjetin e tij të krimit të drogës që “të ruhen nga prokuroria”.
Me siguri këtu “fle lepuri”. Por po të jetë kështu saktësisht, atëherë mund të ndodhë që prokurori të tërhiqet nga akuza dhe vetë gazetari Hoxha të tërhiqet nga dëshmia. Ai do të mbrohet profesionalist: “Nuk e tregoj burimin e informacionit”.