Të shtënat me armë zjarri në drejtim të një hoteli, kanë zgjuar të tmerruar banorët dhe pushuesit në Tushemisht këtë të shtunë. Sipas pronarit të hotelit, kjo është hera e dytë pas disa ditësh, kur ‘dy persona me motor kanë hapur zjarr’.
Autorët kanë qëlluar me kallashnikov mbi 100 herë në drejtim të automjeteve të parkuara aty. Si rezultat janë dëmtuar 7 prej tyre, si dhe xhamat e hotelit.
Burimet thanë se ngjarja lidhet me një mesazh që autorët po japin ndaj pronarit të hotelit, shtetasit Jetmir Muçllarit, i cili ka bërë kallëzim në Polici dhe ka treguar mbi dyshimet e tij lidhur me autorët e mundshëm.
Blutë bëjnë me dije se është qëlluar në drejtim të disa mjeteve të parkuara, duke iu shkaktuar dëme materiale.
“Më datë 08.08.2020, rreth orës 05:00, në parkingun e nje hoteli në Tushemisht, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të disa mjeteve të parkuara, duke iu shkaktuar dëme materiale.
Nga ana e Policisë, po punohet intensivisht për identifikimin e kapjen e autorëve si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.
Hoteli rezulton në pronësi të Emanuela Muçllari, bashkëshortes së Jetmir Muçllarit, i cili është ortak në këtë biznes.
Burime bëjnë me dije se Jetmir Muçllari ka pasur konflikte të mëparshme, pasi i ka shpëtuar një atentati në vitin 2013. Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
VERITAS.COM.AL/