Nga: Veritas.com.al/

Pyetja bëhet aktuale pas ngjarjes që ka ndodhur mbrëmë në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë, në terrenin shqiptar në Devoll. Fillimisht është gjetur një njeri i plagosur rëndë, i cili edhe pse u dërgua në spital nuk mund të jetonte. Plagët i ishin shkaktuar nga goditje të forta, shtazarake, me mjete metalike. Personi që ndërroi jetë u identifikua me emrin Zarif Aliu, 44 vjeç, nga fshati Verdovë i Pogradecit.

Pranë vendit ku u gjet Zafir Aliu në momentet e fundit të jetës, u gjetën edhe dy persona të tjerë të plagosur rëndë: D.SH dhe M.V nga Maliqi. Edhe këta janë thuajse të të njëjtës moshë me atë që mbeti viktimë. Edhe dy personat që mbijetuan, janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore.

Policia, që nga momenti i konstatimit të tragjedisë, është duke hetuar çfarë mund të ketë ndodhur me këta persona në mes të natës?

Ata, siç mësohet, i ishin drejtuar Greqisë për emigrim ekonomik. Por meqë nuk i kishin kushtet e duhura për të kaluar legalisht kufirin, me sa duket kishin menduar që kufirin me shtetin fqinj ta kaonin më këmbë, jo në pikën legale të kalimit të kufirit.

Sipas dëshmive të deri tanishme, të tre personat janë dhunuar nga një grup “banditësh” që presin kalimtarë të “paligjshëm” të kufirit dhe i grabisin ose edhe i dhunojnë.

Udhëtimi gjatë natës i këmbësorëve për të kaluar në shtetin fqinj, është kthyer në një mënyrë “efektive” për të mos u kapur nga rojat kufitare greke. Por njëkohësisht kjo është pikasur edhe nga “banditët” këndej kufirit. Ata kanë përpunuar taktikat e tyre për të grabitur njerëz hallexhinj që i drejtohen emigrimit për të siguruar ndonjë punë.

Kjo nuk është hera e parë që ndodh në zonën kufitare. Rasti i fundit ishte më i bujshëm, për shkak se një person ndërroi jetë nga dhuna; por nuk është i pari.

Çfarë bën Policia?- shtrohet pyetja.

Policia nuk ka më rolin e ruajtjes së kufirit, aq më tepër që emigrimi ilegal i shqiptarëve është kthyer në një mënyrë jetese; shqiptarët që emigrojnë zënë vendin e dytë pas Sirisë në luftë.

Por Policia, të paktën, të ruajë territorin e vendit nga kriminelët e organizuar që iu marrin bukën e gojës dhe jetën hallexhinjve qytetarë.

/Veritas.com.al/