Seanca për shkarkimin e presidentit Ilir Meta po zhvillohet aktualisht në mjediset e Gjykatës Kushtetuese, ku sipas mbrojtjes nga pala e Presidencës, kjo Gjykatë nuk mund ta gjykojë dot çështjen, pasi është e emëruar nga Qeveria dhe mandati i kryetares së saj, Vitore Tusha, ka përfunduar pesë vjet më parë dhe pritet zëvendësimi.

Për këtë shkak, mbrojtja e Metës, e sheh çështjen si të anshme. Në opinionin e tij, prej shtatë anëtarësh që ka momentalisht Kushtetuesja, gjashtë prej tyre janë emërime të Qeverisë. Tre prej këtyre emërimeve madje, kanë ardhur edhe me ndërhyrjen e Komisionit të Venecias.

Ky i fundit vetë, sipas mbrojtjes së Metës, ka theksuar disa herë se situata është e pafavorshme që të zgjidhen gjyqtarë për Kushtetuesen, pasi rrezikohet paanësia e tyre.

Një shkak tjetër i përmendur, është edhe shmangia e rregullores. Kjo, pasi sipas pretendimit, relatori i çështjes nuk është zgjedhur sipas shortit, por ka qenë që më parë i zgjedhur.

Në këto kushte, ka konflikt interesi mbi përzgjedhjen, pasi ka ndodhur në favor të një pale.