‘Kushtetuesja’ drejt funksionimit/ Miratohet me 96 vota pro Altin Binaj si anëtari i 5-të, mbetet vetëm plotësimi i vakancës së Metës! Kim: Lajm i madh, KED të veprojë shpejt
Kuvendi i Shqipërisë ka votuar sot me 96 vota pro, Altin Binajn për anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Me këtë vendim Kuvendi plotësoi 3 vakancat që i takojnë në këtë gjykatë! Binaj bëhet kështu anëtari i pestë i këtij institucioni kyç. Tashmë me plotësimin e vakancës së Presidentit të Republikës arrihet kuorumi dhe për ta bërë më në fund funksionale Gjykatën Kushtetuese.
Kuvendi i Shqipërisë ka votuar sot me 96 vota pro, Altin Binajn për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Me këtë vendim Kuvendi plotësoi 3 vakancat që i takojnë në këtë gjykatë!
Ky është një hap shumë i rëndësishëm drejt plotësimit dhe bërjes funksionale të Gjykatës Kushtetuese. Binaj bëhet kështu anëtari i pestë i këtij institucioni kyç. Tashmë duhet edhe një për të plotësuar kuorumin dhe për ta bërë më në fund funksionale Gjykatën Kushtetuese. Tashmë mbetet vetëm plotësimi i vakancës së Presidentit të Republikës.
Lajmin e ka bërë të ditur fillimisht kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla, i cili shkruan në “Twitter” pas vendimit se kjo është një detyrë shtëpie e rëndësishme për ndërtimin e institucioneve të reja të Drejtësisë.
“Parlamenti shqiptar ka votuar sot anëtarin e fundit të Gjykatës Kushtetuese me 96 vota, të mjaftueshme për ta zgjedhur atë anëtarin e ri të Gjykatës Kushtetuese shqiptare. Kjo është një detyrë shtëpie e rëndësishme për ndërtimin e institucioneve të reja të Drejtësisë”, shkruan Balla.
Emri i Altin Binajt erdhi në Kuvend pas vendimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi 3 ditë më parë. Binaj plotëson në Gjykatën Kushtetuese vakancën e mbetur pas shkarkimit i ish-anëtarit Fatos Lulo.
Kuvendit i është dashur ta shpallë tre herë këtë vend vakant, konkretisht në datat 28 gusht 2018, 21 gusht 2019 dhe 29 shtator 2020. Dy proceset e para për plotësimin e vakancës dështuan pasi nuk kishte kandidatë. Sipas ligjit për Gjykatën Kushtetues, për një vend vakant duhen tre kandidatë, kusht që nuk është respektuar në rastin konkret për shkak të rrethanave, emergjencës dhe mungesës së kandidatëve që plotësojnë kushtet.
Në ditët në vijim, KED pritet t’i dërgojë kandidaturat Presidencës, të renditura sipas pikëve, për vendin vakant, të krijuar pas shkarkimit të Besnik Muçit. Në garë janë Sonila Bejtja, Aleksandër Toma si dhe Zhaklina Peto. Kjo e fundit është kthyer në garë për të katërtën herë nga Gjykata Administrative.
Tashmë vendi është në rrugë të mbarë drejt bërjes funksionale të Gjykatës Kushtetuese, e cila që prej majit të vitit 2018 nuk ka marrë asnjë vendim.
Me votimin e Binajt, Gjykata Kushtetuese bëhet me 5 anëtarë, bashkë me Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji. Kushtetuesja duhet të ketë 9 anëtarë në total, por plotësimi i tre anëtarëve të fundit pritet pas plotësimit të Gjykatës së Lartë, e cila edhe ajo nuk është funksionale.
Plotësimi i Kushtetueses ka qenë prej kohësh një prioritet i ndërkombëtarëve. Ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim ka përsëritur thirrjet për të bërë funksionale brenda këtij viti Gjykatën Kushtetuese.