Pas dy seancave ngjashëm me ato maratonë – Gjykata Kushtetuese si rrallë herë – kthehet sërish për të vendosur mbi kërkesën për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Për herë të parë në historinë e kësaj Gjykata u mbajtën dy seanca publike me praninë e të dyja palëve, atë të Parlamentit dhe Presidencës.

Shtyrja e seancës së fundit asaj të 3 shkurtit erdhi me kërkesë të këshilltarit Ligjor të presidentit, Bledar Dervishaj.

Ky i fundit kërkoi 48 orë kohë për t’u përgjigjur 70 pyetjeve drejtuar atij.

Kjo kërkesë u refuzuar nga përfaqësuesja e Parlamentit, Klotilda Bushka.

Deputetja e Partisë Socialiste deklaroi se procesi duhet të vijë dhe kërkesa për shkarkimin e presidentit është serioze.

Pas debateve të forta, trupa me shtatë anëtarë u tërhoq për të marrë vendimin dhe vendosën që të rikthehen sot.

Dy janë argumentet në të cilat mbështeten palët.

Mazhoranca është e bindur se Presidenti ka shkelur Kushtetutën duke u bërë pjesë e zgjedhjeve të 25 prillit dhe duke shkuar më tej – nxitja e dhunës.

Pala e presidentit nga ana tjetër – thekson se kërkesa për shkarkimin e tij u bë nga Legjislatura e vjetër.

Madje nuk u pranua as gjykimi nga trupa, pasi sipas Presidentit, ato janë palë të përfshira në çështje.

Procesi për të konfirmuar ose hedhur poshtë vendimin e Parlamentit ka nje afat kohor.

Nga Gjykata është bërë me dije se ai duhet të merret brenda 30 ditëve pas përfundimit të seancave gjyqësore – ku pritet që kjo e sotmja të jetë e fundit.

Që vendimi të miratohet duhen të paktën pesë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të votojnë pro ose kundër.

Të paktën pesë nga shtatë anëtarët e GJK  duhet të votojnë ‘pro’ ose ‘kundër’ vendimit.

Pse u kërkua shkarkimi i Metës?

Pas thirrjeve të presidentit Meta përpara fillimit të zgjedhjeve të 25 prillit, mazhoranca kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e tij – menjëherë pas fitores së mandatit të tretë radhazi.

Sipas socialistëve, Meta kishte kryer shkelje të rënda kushtetuese, duke bërë thirrje për dhunë parazgjedhore.

Gjithashtu ai ka dalë mbi palët sipas socialistëve dhe ka mbështetur qartësisht një palë karshi tjetrës.

Komisioni hetimor për shkarkimin e Metës u caktua, në të cilin u administruan provat filmike të pretendimeve socialiste.

Vetë Meta refuzoi të shkonte për të dëshmuar në Komision, pavarësisht se këtë e detyronte dhe përcaktonte ligji.

Pas konsultimit me ekspertët dhe këqyrjes së provave filmike, komisioni përpiloi raportin e tij përfundimtar.

Në të kërkohej shkarkimi i presidentit Meta, duke argumentuar se ai ka kryer shkelje të rënda kushtetuese.

Kuvendi i kaluar e dha fjalën më 9 qershor, tashmë Kushtetuesja ka në dorë fatin e Metës: Në Presidencë apo në rrugë!