Gjykata Kushtetuese ka vendosur që t’i japë të drejtë presidentit Hashim Thaçi rreth dekretit për mandatarin e Qeverisë.

Kushtetuesja vlerësoi se presidenti ka vepruar në përputhshmëri me nenin 82, paragrafi 2, të Kushtetutës me rastin e mandatimit të Avdullah Hotit për kryeministër nga LDK-ja. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, votimi i suksesshëm i mocionit të mosbesimit nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një qeverie të re. Ajo po ashtu ka shfuqizuar masën e përkohshme të pezullimit të këtij dekreti.

Tutje në përfundimet e Kushtetueses theksohet se për formim të qeverisë pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit të drejtën e propozimit e ka sërish partia politike ose koalicioni fitues. Megjithatë, aty shtohet se “dështimi i marrjes së votave të nevojshme në Kuvend apo refuzimi i këtij mandati, kalon të drejtën e formimit të Qeverisë te një parti politike ose koalicion që mund të ketë shumicën e nevojshme për të formuar Qeverinë”.

Sipas Gjykatës, asnjëherë nuk është përcaktuar se partia politike ose koalicioni fitues, ka të drejtën ekskluzive dhe të vetme për të propozuar mandatarin për Kryeministër dhe për të formuar Qeverinë.

Dekretin e presidentit Thaçi në Kushtetuese e kishte dërguar për interpretim Vetëvendosje, pasi ajo si parti fituese e zgjedhjeve këmbëngul se Kushtetuta ia mundëson vetëm asaj propozimin e mandatarit për formim të Qeverisë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë ditëve të shkuara ka thënë se do të pranojë vendimin vetëm nëse ai ka të bëjë me interpretim, e jo me amandamentim.

Në ditët në vijim, sipas GJK-së, do të publikohet arsyetimi.


Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:

Vendimet nga seanca shqyrtuese e mbajtur më 28 maj 2020

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 28 maj 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi dhe vendosi për kërkesën: 1. KO 72/20. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjen e aktgjykimit të Gjykatës (teksti i plotë i aktgjykimit do t’u dorëzohet palëve, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):

Aktgjykim

Lënda: KO 72/20

Parashtrues: Rexhep Selimi dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës

Objekti i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, i datës 30 prill 2020, me të cilin z. Avdullah Hoti, iu propozua Kuvendit të Republikës së Kosovës si kandidat për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës. Parashtruesit e kërkesës pretendonin se Dekreti nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e qeverisjes dhe ndarja e pushtetit], paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit], paragrafin 14 të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit], si dhe me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kërkesa bazohej në nenin 113, paragrafi 2, nën-paragrafi 1 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenin 29 [Saktësimi i kërkesës] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullat 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] dhe 67 [Kërkesa në pajtim me nenin 113.2 (1) dhe (2) të Kushtetutës dhe neneve 29 dhe 30 të Ligjit] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

Përfundime

Në vlerësimin e Dekretit [nr. 24/2020] të 30 prillit 2020 të Presidentit të Republikës së Kosovës, përmes së cilit “Z. Avdullah Hoti, i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidat për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës”, Gjykata, vendosi: (i) njëzëri që kërkesa e parashtrueseve të kërkesës është e pranueshme; (ii) njëzëri që Dekreti i kontestuar i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës; (iii) me shumicë që Dekreti i kontestuar është në përputhshmëri me paragrafin (14) të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës; (iv) njëzëri që të shfuqizohet masa e përkohshme e përcaktuar përmes Vendimit të 1 majit 2020; dhe (v) njëzëri që të refuzohet kërkesa për seancën dëgjimore.