(FOTO: Miell nga opozita në sallën e Kuvendit)/ 

Ka nisur pas orës 10:00 dhe ka përfunduar në 11.35, një seancë e cila pati 5 ndërprerje për shkak të tensioneve të krijuara në Kuvendin e Shqipërisë.

Opozita kishte parashikuar një përballje të fortë me Edi Ramën në Kuvend, por kërkesa e tyre bazike u përqendrua në një: Përjashtimin e Ramës nga Kuvendi.

Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike, tha se pa u përjashtuar Rama nga salla e Kuvendit nuk do të ketë punime normale. Kështu, të gjithë deputetët e opozitës bllokuan foltoren në sallë duke mos lejuar asnjë deputetë të mbajë fjalë. Kjo shënoi ndërprerjen e parë. Me nisjen e seancës, deputetët Flamur Noka, Ervin Salianji dhe Klevis Balliu hodhën miell në drejtim të kryeministrit Edi Rama.

Sërish ndërprerje. Mes tensioneve, opozitës në këmbë, dhe me zhurmën e goditjes së tavolinave me duar nga deputetët e opozitës, seanca nisi sërish për tu ndërprerë shumë shpejt. Kryeparlamentari Gramoz Ruçi kërkoi përjashtimin dhe nxjerrjen nga salla të tre deputetëve që qëlluan ndaj kryeministrit. Ruçi ndërpreu sërish seancën. Në nisje, deputetët e opozitë qëlluan me letra dhe me një shishe uji ndaj kryeministrit Rama dhe përfaqësuesit të këshillit të ministrave që ndodheshin në karriget e tyre. Seanca u ndërpre sërish. Por opozita pretendon për një situatë jo të drejtë, pasi teksa u përjashtuan tre deputetë demokratë, asgjë e tillë nuk i ndodhi minsitrit Ditmir Bushati, i cili sipas opozitës, qëlloi me shishe ndaj deputetëve. Në të gjithë këtë situatë, kryeministri Edi Rama u mundua të jetë i qetë, dhe situatën e parë me miellin e kaloi duke pirë ujë dhe duke hequr më tej xhaketën e mbushur me të bardhë. Me goditjet me letra dhe shishe, kreu i qeverisë po ashtu kërkoi largimin e tyre, të cilët hapën edhe një çadër për sigurinë e tij.

Në kushtet e bllokimit të foltores, Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, kaloi direkt në votimin e rendit të ditës, duke i dhënë shumë shpejt fund seancës.

Në përfundim, kryeministri Rama zgjodhi të dalë nga dera e pasme e Kuvendit, dhe jo nga dera kryesore ku dalin të gjithë deputetët.

Opozita e bashkuar, PD dhe LSI, kërkoi përjashtimin e kryeministrit Edi Rama nga punimet parlamentare, pasi dy seanca më parë kreu i qeverisë ofendoi dhe fyeu shqiptarët kur tha se janë ‘popull që nuk i ngrihet’. Duke i krahasuar me organin gjenital mashkullor, shefi i mazhorancës ju referua shpirtit të protestës të shqiptarëve, fyerje që erdhi pak para se kuksianët të ngriheshin në protestë kundër taksës së dyfishtë për Rrugën e Kombit. Edhe pse e kërkoi zyrtarisht përjashtimin e Ramës, Byroja e Kuvendit e rrëzoi kërkesën e një grupi deputetësh të LSI-së, duke mos ndëshkuar kryeministrin.

Veritas.com.al/