Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar të gjithë projektligjet e paraqitur në seancën e 28 tetorit, ku me vota unanime ka kaluar vetëm ngritja e Komisionit Hetimor për Inceneratorët, kërkesë kjo e hershme e Partisë Demokratike, si një nga tre komisionet hetimore të kërkuara prej tyre.
Me 117 vota pro dhe vetëm një abstenim, Kuvendi do të shohë ngritjen për hetimin e Inceneratorit të Fierit, sipas pretendimeve të demokratëve.
Projektligji për Eurobondin ka kaluar vetëm me votat e shumicës, duke hyrë kështu në fuqi menjëherë. Me 78 vota pro, 4 kundër dhe 33 abstenim, Shqipërisë i hapet rruga e lirë për daljen në tregjet ndërkombëtare.
Është miratuar po ashtu edhe buxheti faktik i vitit 2022 në parim. Sërish, ai ka kaluar vetëm me votat e shumicës. Kanë qenë 76 vota pro dhe 41 kundër, të cilat kanë shkuar për buxhetin. Tashmë ai do të diskutohet në komisionet e përhershme parlamentare.
Me 78 vota pro, 3 kundër dhe 36 abstenim, ka kaluar edhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë mes Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Në bazë saj, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), do të marrë një hua për reagimin ndaj krizës energjetike. Vlera e borxhit shkon në 70 milionë euro.