Një mesazh ka mbërritur sot në telefonat e deputetëve socialistë, të cilët njoftohen se PS ka nisur procedurat për shkarkimin e Metës. Pasi Kryeministri Rama dhe Sekretari i Përgjithshëm i PS-së e paralajmëruan, tashmë ka hapa konkretë nga ana e mazhorancës për të ‘dënuar’ Ilir Metën.

“Të dashur, bazuar në disa shkelje të rënda të Kushtetutës sipas parashikimeve të nenit 90, nga ana e Presidentit Ilir Meta përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore, në konsultim me Kryesine e Grupit Parlamentar kemi vendosur te inicijojme Proceduren e Shkarkimit të Presidentit te Republikes.  Për kete qellim ju lutem siguroni prezencën tuaj pranë Zyres se Grupit Parlamentar per te firmosur propozimin për shkarkimin e Presidentit”, thuhet në mesazhin e mbërritur në telefonat e deputetëve të PS.

Ndërkohë që përmes një urdhri të kreu të Kuvendit Gramoz Ruçi është bërë e ditur se parlamentarët do të rinisin punën ditën e martë. Në rendin e ditës të firmosur nga Ruçi nuk është parashikuar çështja e shkarkimit të Metës por kjo nuk e përjashton që të futet në rend të ditës nga seanca plenare.

Kujtojmë se Ilir Meta kishte paralajmëruar se do të jepte dorëheqjen por nuk e bëri një gjë të tillë pas zgjedhjeve. Ai ka thënë se do të kthehet nëLSI në vitin 2022, kur dhe i përfundon mandati i Presidentit. Nisur nga kjo, mazhoranca e njoftoi menjëherë nismën e saj për ta shkarkuar. Ishte vetë numri dy i PS-së, Taulant BAlla, i cili i pari konfirmoi një fakt të tillë, duke thënë se “do i bëjnë gati letrat e pensionit”.

Ndërkohë që më i ashpër ishte Kryeministri Rama i cili tha se Ilir Metën e dënoi populli i Shqipërisë në mënyrën më spektakolare dhe Kuvendi  i Shqipërisë do të formalizojë këtë vendim.

Kjo është hera e dytë që mazhoranca do të nisë procedurat për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i presidentit. Herën e parë, gjithçka nisi për shkak të çdekretimit të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019. Sot, kjo procedurë ka nisur pas luftës që Meta hapi ndaj SHBA-së dhe ambasadores Yuri Kim , si edhe daljes së tij totalisht nga roli i kreut të shtetit dhe përfshirjes së tij në fushatë në shkelje të Kushtetutës, asaj që Meta përbetohet se po e mbron me gjak dhe dinjitet.

VERITAS.COM.AL