Në ‘hallkën’ më të dobët të shteteve europiane në raport me marrëveshjen për çeljen e negociatave me Shqipërinë, parlamentin holandez, Kuvendi i Shqipërisë organizoi një seancë dëgjimore. Seanca u organizua me Komisionin për Çështjet e BE në Parlamentin e Holandës.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla nënvizoi gjatë dëgjesës se shqiptarët që punojnë e jetojnë në Holandë po demonizohen nga mediat, ndërsa kriminelët nuk kanë as ngjyrë dhe as atdhe.
“Ne politikanët dhe vendim-marrësit duhet të dallojmë përceptimin mediatik nga perceptimi real i njerëzve për kriminalitetin. Shqiptarët që punojnë e jetojnë në Holandë janë qytetarë normalë e dinjitozë, por demonizohen padrejtësisht nga media. Kriminelët nuk kanë as ngjyrë, as atdhe. Ata duhet t’i luftojmë bashkarisht dhe qeveritë dhe policitë e Shqipërisë dhe Holandës po bëjnë pikërisht këtë”, deklaroi Balla.
Deputetët e Komisionit vlerësuan mjaft pozitivisht konstatimin që Shqipëria po i kryen këto reforma sepse janë të rëndësishme, të dobishme dhe të dëshiruara nga qytetarët e saj, jo thjesht si kërkesa të hapjes së negociatave.
Deputetët holandezë vlerësuan gjithashtu bashkëpunimin efikas të qeverisë shqiptare me qeverinë e Holandës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, i cili ka filluar të japë rezultatet e para, të cilat duhet të thellohen.
Në lidhje me Rezolutën e Parlamentit holandez për rivendosjen e vizave, deputetët e Komisionit pranuan se janë të vetëdijshëm që kjo nuk mund të realizohet, por e interpretuan atë si një veprim sensibilizues për nxitjen e luftës kundër krimit.
Kjo seancë dëgjimore u vlerësua nga Kryetari i Komisionit Ëeldman si e hapur dhe mjaft e dobishme për vazhdimin e dialogut dhe për të informuar mbi përpjekjet reale që po bën Shqipërisa për realizimin e prioriteteve kyçe të integrimit dhe meritimin e hapjes së negociatave të anëtarësimit.
Veritas.com.al/