(FOTO: Çast paniku në sallën e Kuvendit mes zotit Rama dhe zotit Ruçi)/
Nga: VERITAS/
Ka nisur seanca plenare e Kuvendit ku do të vendoset mbi imunitetin e deputetit Saimir Tahiri, ish ministër i Brendshëm. Ish- ministri tani ndodhet nën akuzë për përfshirje në banda kriminale të strukturuara e që kanë vepruar për trafikimin e drogës dhe të armëve mes Shqipërisë e Italisë, si dhe për ‘korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë’.
Prokuroria e Gjykatës së Krimeve të rënda i ka kërkuar Kuvendit lirimin e deputetit nga imuniteti dhe hapjen e rrugës për arrestimin e tij, me qëllim që të mos prishen provat e hetuara mbi aktivitetin kriminal. Komisioni Parlamentar i Mandateve dhe Imunitetit, gjatë mbledhjes për të njëjtën çështje nuk ka arritur dot në një përfundim të vetëm. Pjesa Socialiste e anëtarëve kanë votuar kundër heqjes së mandatit të deputetit, ndërsa opozita kërkon t’i hapet rrugë arrestimit të deputetit nën akuzë.
Për këtë arsye në Kuvend sot janë paraqitur dy raporte: Njëri i Opozitës dhe tjetri i maxhorancës së PS që është e vetme në pushtet. Rapoorti i opozitës po lexohet në këto momente nga deputeti Alibeja.
Në sallën e Kuvendit, nga informacionet që dalin nga salla, ka tension nga të gjitha palët.
Më e tensionuar shihet maxhoranca Socialiste e cila kërkon të mbrojë deputetn e akuzuar, Saimir Tahiri. Nervozizmi, nxitimi, tensioni shihet në këto akte:
Kryeministri Rama, i cili ka marrë peshën e mbrojtjes së Saimir Tahirit nga hetimi dhe nga prangat, sot nuk shihet aq i sigurt sa në fjalimet e tij politike ku ka sulmuar prokurorinë dhe ka ndërhyrë në proces si gjykatës. Ai ka garantuar publikisht se ‘nuk e dorëzon’ Tahirin para prokurorisë. Ai e ka dorëzuar mikun dhe aleatin e tij më të ngushtë në qeveri, Tahiri, por vetëm politikisht, duke e përjashtuar nga radhët e PS. Me këtë akt ka lënë të nënkuptohen dy standarde: Edhe i inkriminuar, edhe i pa fajshëm.
Kryetari i Kuvendit që ka qnë shtyllë e dytë mbrojtjeje, ka marrë një pamje paniku. Ai është nervoz dhe me një portret ‘të prishur’. Që në fillim i ka prerë fjalën deputetit Sali Berisha- ish- kryeministër, i cili ka lënë sallën e Kuvendit në shenjë proteste. Berisha ka deklaruar se ‘ky është momenti më i turpshëm kombëtar’, duke iu referuar punimeve të Kuvendit për mbrojtjen e ministrit të akuzuar për krime.
Opozita ka ardhur në sallë me tabelat: “Qeveri e krimit” dhe “qeveri mafioze” që secili deputet mban në dorë.
Kryeministri Rama përsëri tregon shenja nervozizmi e gati paniku. Herë takon Gramoz Rucin, herë ministrin Bushati. Lëvizja në këto dy pole lë të nënkuptohet se Bushati- ministër i Jashtëm, mban kontakt me diplomatë dhe partnerë ndërkombëtarë që kërkojnë arrestimin e Tahirit. Ndërsa Rama përplaset përsëri te Ruçi: “Si të bëjmë? Jemi keq!”.
Seanca vazhdon përmes nervozizmit të paparë.
Veritas.com.al/