Olsian Çela është Prokurori i ri i Përgjithshëm i Shqipërisë. Kandidatura e tij mori 101 vota në Kuvend, nga 84 që duheshin për t’u miratuar. Çela mori 2 vota kundër ndërsa 10 deputetë abstenuan. Menjëherë më pas, Çela bëri edhe betimin para Kuvendit.

Olsian Çela ishte renditur i pari në listën që Këshilli i Lartë i Prokurorisë i kishte dorëzuar Kuvendit, pas intervistimit të tre kandidateve. Më parë, kreu i këtij institucioni, Gent Ibrahimi, kishte deklaruar se priste që Kuvendi të respektonte këtë renditje dhe të zgjidhte pikërisht zotin Çela.

Në garë me të ishin edhe Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme, Arta Marku, e cila mori vetëm 11 vota pro, ndërsa kandidatja e tretë, Fatjona Memçaj, mori vetëm 8 vota pro.

Më herët gjatë ditës, A2 kishte mësuar se deputetët socialistë do të mbështesnin pikërisht kandidaturën e Çelës. Vendimi u morë pas një mbledhjeje të grupit parlamentar, ku u vendos që vota e tyre të shkonte për të parin e renditur në listë.

Cili është prokurori i ri Olsian Çela?

I konsideruar si ‘prokurori i dosjeve të forta’, e nisi karrierën e tij në drejtësi në vitin 2001, pasi u diplomua në shkollën e Magjistraturës. Fillimisht ushtroi detyrën e prokurorit në institucionin e akuzës në kryeqytet. Në 2004, u emërua prokuror i Gjykatës së Krimeve të Rënda, institucion që e drejtoi për një periudhë katër vjeçare.

Prej vitesh është anëtar bordi në shkollën e Magjistraturës dhe pedagog në dy universitete. Olsian Çela është pika e kontaktit e Eurojust në prokurorinë Shqiptare. Përgjatë viteve është trajnuar në disa vende të Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çështjet e krimit të organizuar.

Është njohës i 4 gjuhëve të huaja. Prokurori Çela ka hetuar disa dosje të bujshme, siç është “Xibraka”, apo grabitja në aeroportin e Rinasit në 2016, ku me firmën e tij Aleks Pepa është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Më herët, ai hetoi për masakrën e Kartodromit apo grupin e Niklës.

Vritas.com.al/