Sot pushoi zemra e Andreas Breme.

Është nga ata lojtarë, që vështirë t’i vijnë më këtij sporti. Emri i Andreas Brehme është gdhenur me shkronja “të arta”, në historinë e futbollit gjerman, me 63-vjeçarin, i cili mund të konsiderohet si anësori më i mirë i krahut të majtë të mbrojtes në Gjermani, mirëpo sot ka hidhëruar jo pak tifozët e këtij sporti.

Brehme ka ndërruar jetë këtë të martë, teksa sipas raportimeve më të fundit, të gazetës “BILD”, ish-“ylli” i Bayern Munich, Kaiserslautern, e Inter ka pësuar një arrest kardiak orët e para të mëngjesit të sotëm.

Ish-anësori i mbrojtje do të mbahet mend veçanërisht për golin e fitores, në finalen e madhe të Botërorit 1990, ku asokohe Gjermania Perëndimore mundte Argjentinën e Diego Maradona-s, falë një goditjeje dënimi të ekzekutuar mjeshtërisht, në minutën e 85’-të të sfidës, duke siguruar kështu yllin e 3-të, në fanellë.

Sa i përket karrierës në klubet futbollistike, Brehme ka zhvilluar plot 613 përballje, me skuadrat e Barmbek, Saarbrucken, Kaiserslautern, Bayern Munich, Inter e Real Zaragoza, teksa ka arritur të fitojë plot 9 trofe, 2 Bundesliga, 1 Bundesliga 2, 1 Kupë të Gjermanisë, 2 Superkupa të Gjermanisë, 1 Europa League, 1 Serie A dhe 1 Superkupë të Italisë.