Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Ministria e Drejtësisë nuk do të ‘lëshojnë pe’ sa i takon miratimit të Hartës së re Gjyqësore.
Kjo gjë ishte paralajmëruar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili përtej kontestimeve, Rama është shprehur i habitur ndaj individëve, të cilët kërkojnë të bllokojnë procesin.
Megjithatë, ai nuk është i gatshëm të lëshojë pe për një reformë, e cila është e shtyrë shumë gjatë në kohë.
Ndaj, sërish, e ka bërë të qartë në mënyrë të prerë: Diskutime ka, por harta e re gjyqësore është ajo që është dhe nuk ndryshon!
Nga ana tjetër, një javë më parë, Dhoma Kombëtare e Avokatisë njoftoi se avokatët kishin vendosur se do t’i bojkotojnë pa afat seancat gjyqësore.
Harta e re
KLGJ-ja, pasi ngriti një Grup Ndërinstitucional për të kryer vlerësimin e sistemit gjyqësor, miratoi hartën e re gjyqësore, në të cilën parashikohet një reduktim i numrit të gjykatave në vend.
Sipas hartës së re, vendi do të ketë 12 gjykata nga 22 që ishin më parë.
Ndërsa nga gjashtë gjykata administrative të shkallës së parë do të mbeten dy, një në Tiranë dhe një në Lushnjë dhe një Gjykatë Apeli.
Në deklaratën e KLGJ-së shkruhej se, “Harta e re Gjyqësore do t’i shërbejë optimizimit të burimeve njerëzore dhe financiare, rritjes së eficiencës së gjykatave, përmirësimit të shpejtësisë së gjykimit dhe aksesit në drejtësi të qytetarëve”.
Po ashtu, KLGJ-ja e ka cilësuar hartën si çelësin shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e sfidave të sistemit gjyqësor, lidhur me ngarkesën e punës, delegimet, aksesin, koston dhe efektshmërinë.