Kreu i Agjencisë Kombëtare të Kadastrës Artan Lame ka dalë sot para mediave për të bërë publik bilancin e 6 muajve të këtij institucioni që shkriu në një Hipotekat dhe ALUIZNI-n. Lame tha se ajo çka ka ndodhur me pronën në këtë çerekshekulli në Shqipëri, e tejkalon atë që ndodhi gjatë gjysmëshekullit të mëparshëm.
“Prej disa muajsh, pas përmbylljes së riorganizimit institucional të saj, Kadastra Shqiptare po merret me sfidën më të vështirë që ka përpara vetes: Shthurjen e rrjetës çerekshekullore të kaosit të pronave, abuzimit me pronat dhe plaçkitjes së pronës.
Duhet të jemi të qartë me veten dhe me shqiptarët: Ajo çka ka ndodhur me pronën në këtë çerekshekulli në Shqipëri, e tejkalon atë që ndodhi gjatë gjysmëshekullit të mëparshëm.
Diktatura shpronësoi shqiptarët, por prona mbeti po aty, në dorën e shtetit dhe me rrëzimin e sistemit socialist, do të duhej të fillonte procesi i kundërt, ai i kthimit të pronës tek i zoti, ai i ndarjes së drejtë të tokës tek fshatari, ai i privatizimit nga pozita të barabarta e kështu me radhë. Për fat të keq, nuk ndodhi kështu gjithmonë.
Ditë pas dite ne kemi grumbulluar dhe vijojmë të evidentojmë raste abuzimi me pronën, qoftë atë publike e qoftë atë private. Ky evidentim nuk bëhet thjesht se s’kemi me ç’merremi apo se duam të çojmë njerëz përpara drejtësisë.
Ky evidentim bëhet sepse abuzimi me pronën është shkelje e rendit kushtetues, është bllokimi i jetës ekonomike të vendit.
Në këta 6 muaj operim të Kadastrës së re Shqiptare janë kryer 30 audite, kontrolle dhe verifikime nëpër të gjitha drejtoritë vendore.
120 masa ndaj punonjësve përfshi dhe largime nga detyra. Janë trajtuar në këto muaj rreth 7500 ankesa nga publiku dhe institucionet të tjera për grabitjen e pronës. Do mjaftonin këto shifra për të kuptuar sa e thellë është reforma.
Harta e abuzimeve me pronat përfshinë gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë por e kuptueshme që më e theksuar në zonat me interes ekonomik.
Në Shëngjin edhe bankina e portit del me pronar”, deklaroi Lame.
Vijon…