Me pushime në Tirolin e Jugut, Angela Merkel mori me vete “Tiranin” e Stephen Greenblatt, një reflektim mbi fuqinë dhe tiranisë, përmes disa prej tragjedive më të famshme të Shekspirit. Si është e mundur – është pyetja e shtruar nga Bardi tek Makbethi, Jul Çezari apo Rikardi III – që një vend i tërë, të bjerë në kthetrat e një despoti? Pse një komb i madh i pranon gënjeshtrat dhe krimet e një njeriu, duke u vënë tërësisht në duart e tij? Pa i përmendur kurrë me emra, Greenblatt flet për Trumpin, Putinun, Xi Jinping, autokratët e shumtë që tani kanë pushtuar skenën botërore. Ai rrëfen brishtësinë e institucioneve, papërshtatshmërinë e klasave politike, zemërimin populist si rezultat i krizës ekonomike.

Ishte kjo vera e fundit e Angela Merkelit? Pushimet e fundit si kancelare, para lamtumirës që do i japë pushtetit? A do të arrijë Merkeli të përfundojë mandatin e saj të katërt në vitin 2021, ashtu siç do të dëshironte? Apo do të largohet, për shkak të një situate politike që është bërë e pasigurt, e paqëndrueshme, ku zgjedhjet rajonale të dielën e ardhshme në Saksoni dhe Brandenburg, mund t’i japin fund Grosse Koalition-it në Berlin?

Pas 14 vitesh në krye të Gjermanisë, gjatë të cilëve garantoi stabilitetin dhe mirëqenien ndërsa kriza tronditi pjesën tjetër të botës, nëna e kombit nuk duket më e pathyeshme. Rraskapitjes së gjetjes së një formule qeverisëse, ajo mes CDU-së dhe PSD-së, tani pa motivim dhe përgjigje, i shtohen vuajtjet fizike të një kancelareje, e cila vetëm ulur arrin të ndalë dridhjet e pakontrollueshme dhe misterioze, që u bënë një metaforë e “muzgut” të saj.

Çdo zgjedhje e saj, çdo gjest janë tashmë objekt analizash dhe interpretimesh. Pikërisht si leximi i “Tiranit”. Po çfarëdo që të ndodhë, një gjë është e padiskutueshme: lamtumira e gjatë e Angela Merkelit ka nisur tashmë. Konfirmimi më i fundit është emërimi i Annegret Kramp-Karrenbauer në postin e Ministres së Mbrojtjes, në vend të Ursula von der Leyen, e cila u bë presidente e Komisionit Evropian: Merkel dëshiron t’i japë trashëgimtares së supozuar, shansin që të tregojë se ka stofin e një kancelareje.

STINA E DRIDHJEVE

Kur në 17 korrik mbushi 65 vjeç, ZDF, rrjeti i dytë më i madh në Gjermani i dedikoi një portret: “Merkel, kontradiktat e një kancelareje”. 45 minuta për të rrëfyer një karrierë verbuese, pa përplasje, dhe ngritur një pyetje: çfarë do të mbetet nga drejtimi i saj, kur Merkeli të jetë larguar?

Ka veshur shumë maska Angela Merkeli, në vitet e saj në politikë. Por pa humbur asnjëherë një busull të brendshme shumë speciale, e bërë me disiplinë, durim, kurajë dhe aftësi për të analizuar të gjithë pikëvështrimet e çdo zgjedhjeje. Ka qenë “vasha e Kohlit” dhe atvrasësja që firmosi fundin e tij. Ka bërë fushatë elektorale për taksën e sheshtë dhe ka qenë kancelarja që futi pagën minimale. Ka qenë Kancelarja e klimës, që brenda një nate hodhi poshtë gjysmë shekulli politikë energjetike kristian-demokrate duke u thënë lamtumirë centraleve bërthamore, dhe ka mishëruar fytyrën e ashpër të një Gjermania, e cila i imponoi Evropës masat e tmerrshme të kursimit.

Një zgjedhje ka shënjuar mbi të gjitha Angela Merkelin: hapja e kufirit për një milion refugjatë në verën e vitit 2015, me një frazë të thjeshtë: “Do ia dalim”, vendim i cili i parë sot, ka shënuar ndoshta fillimin e rënies së saj dhe u bë pedana e kërcimit për të gjithë sovranistët evropianë. Një zgjedhje të cilën nuk e ka hedhur poshtë kurrë, duke mbajtur si medalje fjalët “Kancelarja e refugjatëve”.

DRITARET GJERMANE

Jo në gjendje të kishte vizion – në këtë pikë, besnike e Helmut Kohlit, i cili thoshte se politikanëve me vizione u këshillonte një doktor – kur e pyetën se çfarë ndjenjash i shkaktonte Gjermania, Merkeli u përgjigj: “Mendoj për dritaret tona të mrekullueshme, asnjë vend nuk i ndërton kaq mirë”. E megjithatë, në botën e re të burrave të fortë, vajza e rritur në socializmin real ka mbajtur mantelin e udhëheqëses së botës perëndimore, ndoshta e fundit e denjë për këtë emër.

Pak kush e di me të vërtetë se kush është Angela Merkeli. Mjafton të mendosh se në tridhjetë vjet, pothuaj asnjë prej bashkëpunëtorëve të saj nuk është ftuar në apartamentin e kancelares përballë muzeut Pergamo, por që frekuentohet rregullisht nga shumë artistë që ajo pëlqen dhe të cilët e adhurojnë. Ndoshta vetëm me Beate Baumann, shefja e përhershme e kabinetit dhe Eva Christiansen, këshilltare për komunikimin, kancelarja heq filtrat. Me to merr vendimet më të rëndësishme.

Është fakt, siç ka thënë drejtori i Die Zeit, Giovanni di Lorenzo, që një fije e kuqe e veçantë lidh të gjitha zgjedhjet më të rëndësishme të Angela Merkelit si kancelare: nga mbyllja e centraleve atomike tek refugjatët, nga martesat e homoseksualëve tek fundi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak, tek paga minimale, asnjëra nuk ishte parashikuar në programet e saj elektorale. E kanë quajtur “çmobilizimi asimetrik”, një politikë jo më e udhëhequr prej pozicioneve të forta ideologjike, por nga nevojat e momentit, nga arsyet e kompromisit, por edhe nga Stimmung, gjendja shpirtërore e popullit, e testuar nga një sasi e paprecedentë sondazhesh dhe grupesh të fokusuara. ”Ndonjëherë jam liberale, ndonjëherë konservatore, ndonjëherë kristian-sociale”, tha ajo pa drojë, në një intervistë të vitit 2009.

Në këtë shumëllojshmëri pozicionesh, Merkel ndryshoi Gjermaninë si askush para saj. Për më mirë, ose për më keq. Dhe në këtë ndarje të paqartë qëndron trashëgimia e saj, vështirë e  përcaktueshme, ndryshe nga ato të paraardhësve të saj. Konrad Adenauer e ankoroi Gjermaninë në Perëndim, Uilly Brandt me Ostpolitikën mbolli farat e ribashkimit, Helmut Kohl ishte realizuesi i bashkimit, Gerhard Schröderi reformoi shtetin e mirëqenies, duke hedhur themelet e ringjalljes ekonomike.

Po Angela Merkel? Stili i tij pa retorikë i ka lejuar gjermanët të rigjejnë krenarinë kombëtare, në të kaluarën gjithnjë e vënë në dyshim. Një shembull mbi të gjithë: “përralla verore” e vitit 2006 kur Gjermania organizoi me mjeshtëri dhe me efikasitet Kupën e Botës. Por nëse ajo ka siguruar stabilitet dhe rritje për një dekadë, centrizmi pa ideologji i Merkelit ka forcuar krahun konservator, duke hapur dyert për të djathtën ekstreme ksenofobike dhe raciste të AfD, e cila sot numëron deri në 100 deputetë në Bundestag.

Për më tepër, linja e saj e dhënë pas gjithçkaje ka zbrazur aleatët socialdemokratë nga ide dhe përmbajtje, duke e katandisur PSD në fantazmë të vetvetes dhe duke i shkaktuar një pikë të madhe dobësie demokracisë federale. “Mos u shqetëso që të bësh një qeveri koalicioni. Unë e di mirë: aleatët e tu më të vegjël do të shkatërrohen”, i tha ajo David Cameronit në vitin 2010, kur ai po përgatitej për aleancë me liberalët.

 

TRASHEGIMIA? ËSHTË E ANGAZHUAR

Që Angela Merkel po kërkon një trashëgimi, kjo është e qartë. “Një urdhëresë e njerëzimit”, e ka quajtur ditët e fundit shpëtimin e jetëve njerëzore në det,  mes të polemikave të shkaktuara nga mbyllja e porteve italiane, duke hedhur propozimin e saj për një mision të ri Sophia në Mesdhe. Dhe për ata që e pyetën se si do të kujtohej në librat e historisë, ajo u përgjigj: “Jam angazhuar”.

 

Që nga viti 1990, Herlinde Koelbl e ka takuar një herë në vit Merkelin, duke i bërë dy foto dhe tre pyetje, shpesh herë të njëjtat. Me projektin “Gjurmë të pushtetit”, fotografja e famshme gjermane ka dashur të dokumentojë se në ç’mënyrë ai i ndryshon njerëzit. Në një prej këtyre intervistave në 1998, kur sapo ishte bërë Sekretare e Përgjithshme e CDU, Merkeli i tha Koelbl-it: “Një ditë do të dua të gjej mënyrën e duhur për të dalë nga politika. Është shumë më e vështirë nga sa e kisha imagjinuar. Por nuk dua të jem një relikte gjysmë e vdekur, kur të lë pas meje jetën publike”.

Edhe pse shëndeti duket se po shfaq probleme, mbase nuk është shumë vonë. Ndryshe nga të tjerët, modeste dhe origjinale, e fuqishme por imune ndaj narcizizmit të pushtetit, Merkel dëshiron ende të mendojë për një “jetë përtej politikës”, siç tha në konferencën tradicionale të shtypit para pushimeve të verës. A do të mundet dhe a do të dijë të zgjedhë momentin e duhur për të dalë nga skena me dinjitet, të rikthehet në fshatin e dashur të Uckermark dhe t’i dedikohet pasioneve të saj, muzikës së Vagnerit, udhëtimeve dhe tortës me kumbulla të thara, që është specialitet i saji? (“Sette” – Bota.al)