Ish drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi bashkë me dy biznesmenë të tjerë, njëri prej tyre ortak i zyrtarit të lartë janë arrestuar me urdhër të SPAK-ut.

Ata akuzohen për korrupsion dhe pastrim parash.

Dyshimet e forta që e çuan Berberin në prangat e SPAK është ajo e lëvizjes fiktive të aksioneve të kompanisë së tij “DAAM” pasi mori detyrë shtetërore.

Në 2018 Berberi i bleu Valter Begajt kompaninë ‘B-VAAL ENG-10’ për 100 mijë lekë dhe i ndryshoi emrin në “DAAM”.

Pesë muaj më vonë, në 31 janar 2019, Evis Berberi ia shet kompaninë Brunilda Bulit për 500 mijë euro, e cila zgjeron shërbimet me ndërtim të impianteve eolike, impianteve fotovoltaike dhe impianteve hidrike per prodhimin e energjise elektrike. Këto lëvizje janë bërë teksa Berberi do të emërohej drejtor i Agjencisë së Eficiencës së Energjisë.

Në 23 dhjetor 2021, Brunilda Buli ia shet sërish kompaninë shokut të Evis Berberit, ish-ortakut Valter Begaj për rreth 2 milionë euro. Në 21 shkurt 2022, Valter Begajt ia shet kompaninë Ervis Lamit për rreth 2 milionë euro.

Një muaj më vonë, Ervis Lame ia shet sërish kompaninë “DAAM” Valter Begajt me vlerë zero leke. SPAK dyshon për shitjen që është fiktive duke i çuar të tre pas hekurave. Në sitë janë edhe tenderat që ka marrë nga institucionet shtetërore kjo kompani.

Nga hetimet e SPAK rezulton se Evis Berberi ka kërkuar dhe ka marrë rregullisht para përmes tenderave që janë zhvilluar në kohën kur ai ka qenë kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, por edhe kur ka qenë titullar i Agjencisë  për Eficencën e Energjisë.

Në kohën kur Berberi ka mbajtur postin e drejtuesit të ARRSH, SPAK thotë se janë zhvilluar tre procedura prokurimi në vlerën totale 101,811, 343 (njëqind e një milion e tetëqind e njëmbëdhjetë mijë e treqind e dyzet e tre) lekë pa TVSH.

Ndërsa kur ka qenë në krye të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë, janë zhvilluar tre procedura prokurimi në vlerën totale 137,400,000 (njëqind e tridhjetë e shtatë milion e katërqind mijë) lekë pa Tvsh.