-Qeverinë e akuzojnë përfaqësitë amerikane dhe britanike-
Ligji i miratuar të enjten në parlament nga maxhoranca për anëtarësimin e detyrueshëm të të gjitha bizneseve pranë dhomave të tregtisë, është një nga ligjet më absurde që mund të jetë votuar ndonjëherë në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Ligji e bën të detyrueshëm anëtarësimin e bizneseve pranë këtyre dhomave kundrejt pagesave vjetore që shkojnë deri në 1 milionë lekë të vjetra.
Dhoma Amerikane thotë se anëtarësimi me detyrim i subjekteve është jo vetëm i pakuptimtë, por s’është gjë tjetër veçse një takse e re që u vihet bizneseve për të paguar dhomat e tregtisë, pavarësisht shërbimit që marin. Kjo kosto, sipas Presidentit të Dhomës Amerikane, Marc Croëford do të faturohet direkt nga bizneset tek konsumatorët.
Përveç këtij absurdi Dhoma Amerikane thotë se ligji ka mangësi, sepse nuk ka përcaktuar qartë çfarë i pret bizneset që nuk pranojnë të anëtarësohen, të cilat mund të jenë penalitete të fshehura.
Shqetësim tjetër i Dhomës Amerikane, që ka të anëtarësuar në mënyrë vullnetare mbi 230 anëtarë, është se këto para që do të marrin dhomat e tregtisë mund t’i përdorin për të lobuar edhe për çështje për të cilat bizneset anëtarë janë kundër.
Edhe Dhoma Britanike, në një qëndrim zyrtar thotë se “Anëtarësimi i detyruar është një kosto ekstra ndaj komunitetit të biznesit, ku në këmbim nuk do të përfitojë asgjë përveç “trashjes” të strukturave të tyre drejtuese. Modeli Gjerman-Italian nuk mund të krahasohet me gjobvënësit e rinj, siç do të jenë dhomat në të gjithë territorin e Shqipërisë”, thuhet në deklaratë.
Nuk kuptohet arsyeja përse u miratua një ligj i tillë, kur edhe vetë dhomat e tregtisë, që mendohet se do të përfitojnë prej tij, janë kundër.
Me ligjin e vitit 2008, regjistrimi në këto Dhoma ka qenë vullnetar. Bizneset mund të bëheshin anëtarë duke paguar kuotat vjetore, nëse konsideronin se anëtarësimi mund të ishte i vlefshëm për zhvillimin e tyre.
/SipasTv Klan/