Alexeï Navalny u burgos sepse organizoi në qershor një manifestim gjigand antikorrupsioni në Moskë, pa leje nga autoritetet.

AFP

Të premten u lirua nga burgu pas njëzetepesë ditësh kundërshtari numër një i Vladimir Putinit, Alexeï Navalny. Ai u dënua nga një gjykatë administrative me burg për organizimin e një manifestimi antikorrupsion të përmasave gjigande në rrugët e Moskës, pa patur leje nga autoritetet. «Jam shumë i lumtur që u ktheva në zyrë. Jam shumë i lumtur që ju gjeta të gjithëve këtu energjikë dhe me humor gazmor», është shprehur Alexeï Navalny në selinë e Fondit të luftës kundër korrupsionit, organizata që ai ka krijuar për të denoncuar korrupsionin e elitave.

Alexeï Navalny, synon të sfidojë Vladimir Putinin në zgjedhjet presidenciale të marsit 2018. Manifestimi i 12 qershorit, ashtu si edhe ai i fundmarsit të po këtij viti (kur ai u dënua me pesëmbëdhjetë ditë burg), u shoqërua me arrestime të shumta.

Opozitari i thekur i Putinit ka qenë shënjestër e agresioneve të ndryshme, ndër të cilat sulmi me një solucion të gjelbër që i kushtoi një ndërhyrje të vështirë oftalmologjik në Spanjë. Ai është përndjekur në mënyrë të pandërprerë edhe nga procese gjyqësore që synojnë, sipas ithtarëve të tij, t’u presin rrugën ambicieve të tij. E ardhmja e tij politike mbetet megjithatë e paqartë, sepse komisioni qendror zgjedhor e gjykoi të paaftë për t’u paraqitur në zgjedhje përballë Vladimir Putinit marsi e ardhshëm për shkak të një dënimi nga gjykata për fshehje fondesh.

Veritas.com.al/