Kandidatët e “Listës Serbe” kanë fituar që në raundin e parë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e 4 komunave veriore të Kosovës, sipas rezultateve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve..
Zgjedhjet janë mbajtur të dielën në Mitrovicën e Veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok. Procesi u vlerësua se ka kaluar qetësisht dhe pa parregullsi të mëdha. Kurse dalja e votuesve, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte më e lartë se 42 për qind.
Rezultatet paraprake të prezantuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, diku pas mesnatës, tregojnë se kandidatët e “Listës Serbe” kanë shënuar fitore bindëse. Në Leposaviç, në bazë të rezultatit paraprak ka fituar Zoran Todiç nga “Lista Serbe”, me 96.6% të votave.
Ai kishte sfidues Shaqir Hetemin nga Partia Demokratike e Kosovës, i cili mori 2% të votave, dhe Fisnik Veselin nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili mori 1.4% të votave.
Në Zubin Potok, Sërxhan Vuloviç nga “Lista Serbe” ka fituar me 94.5% të votave, kurse Hysen Mehmeti nga PDK-ja ka marrë vetëm 2.9% të votave, e Liridona Kahrimani nga Lëvizja Vetëvendosje me 2.6% të votave.
Edhe në Zveçan, kandidati i “Listës Serbe”, Vuçina Jankoviç ka fituar me 94.7% të votave, në garën me Ilir Peçin nga PDK-ja, që ka siguruar 3.3% të votave, dhe Avdi Peçin nga Lëvizja Vetëvendosje, me 2% të votave.
Në komunën e Mitrovicës së Veriut, kandidati i “Listës Serbe” Goran Rakiç ka siguruar 86.2% të votave, kurse kandidatja e PDK-së, Gonxhe Çaushi vetëm 8.7%. Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje atje, Erden Atiç mori vetëm 5% të votave.
Veritas.com.al/