Ka nisur në Gjykatën e Tiranës seanca paraprake për zyrtarët e Partisë Demokratike, të cilët janë të pandehur për lobimin 675.000 dollarë në SHBA.
Kryedemokrati Lulzim Basha është i pandehur në këtë çështje, por ai nuk po merr pjesë në seancë. Ndërkohë që në sallë ka hyrë ish-Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, gjithashtu i pandehur.
Basha përfaqësohet në seancë nga Ivi Kaso dhe Eduart Halimi.
Ndërkohë, të tre prokurorët e çështjes, Kolë Hysenaj, Ervin Karanxha dhe Gjergj Tako, janë të pranishëm në sallë.
Gazetarja Anila Hoxha e TCH raportoi më herët se janë tre vendime të cilat mund të merren sot nga gjyqtari Lazër Sallaku.
Ai do të vendosë nëse Basha do të shkojë për gjykim, apo nëse do e konsiderojë si hetim të paplotë dhe do të vendosë rikthimin e dosjes për hetime të mëtejshme. Vendimi i tretë, që parashikohet sipas procedurës, është që të pushohet kjo çështje.
Nga një shkresë që disponon Top Channel, zoti Basha, Arben Ristani dhe Ilir Dërvishi njoftohen nga prokurorët Gjergji Tako dhe Ervin Karanxha se kanë përmbyllur fazën hetimore dhe ndaj tyre rëndojnë akuzat për falsifikim të vulave dhe stampave.
Nëse shpallet fajtor, kryeopozitari Basha rrezikon deri në 7 vite burg.
VERITAS.COM.AL/