Perëndimi ka dy synime në luftën që po zhvillohet aktualisht në Ukrainë: të ruajë sovranitetin e këtij vendi dhe ta pengojë Rusinë nga ndërmarrja e çdo lloj sulmi të ngjashëm ndaj vendeve europiane në të ardhmen. Megjithatë, luftimet në rajonin e Donbasit janë tejet të përgjakshme, ndaj është tunduese mbështetja e çdo lloj lëvizjeje që do t’i jepte fund konfliktit.
Prandaj nuk është e habitshme që ka pasur thirrje për një nismë të hershme për arritjen e paqes, teksa presidenti francez Emanuel Makron ka deklaruar se është e rëndësishme që Rusia “të mos poshtërohet” për shkak të pushtimin të saj, një qëndrim që shkaktoi reagimin e ashpër të shefit të kabinetit të presidentit ukrainas Volodimir Zelenski.
Putin e ka luajtur edhe më parë këtë lojë.
Në vitin 2008, diplomacia e atëhershme e presidentit francez Nikolas Sarkozi prodhoi një armëpushim në Gjeorgji, por kjo u arrit me lejimin që forcat ruse të mbanin të pushtuara 2 rajone të këtij vendi. Gjeorgjia nuk e ka rifituar kurrë sovranitetin e plotë mbi to.
E njëjta gjë ndodhi në vitin 2014 në Ukrainë. Kur qeveria pro-ruse në Kiev u rrëzua si pasojë e protestave popullore, forcat ruse pushtuan Krimenë dhe pjesë të Donbasit. Pasardhësi i Sarkozit, Fransua Holond, dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, arritën një marrëveshje me Putinin, e cila krijoi një proces politik miqësor ndaj Rusisë në Donbas dhe la të paprekur kontrollin e saj mbi Krimenë e aneksuar.
Kjo iu imponua një presidenti ukrainas që hezitonte, dhe i lejoi Rusisë të mbante përfitimet e saj ushtarake. Sot, udhëheqësit e Ukrainës duan të luftojnë, dhe ata sigurisht nuk duan një armëpushim tani, në momentin kur Moska ka arritur suksesin ushtarak më të madh.
Nuk është e qartë se çfarë do të thotë në praktikë Makron, kur thotë se nuk duhet ta poshtërojmë Putinin.
Ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Henri Kisinger, deklaroi kohët e fundit se duhet të përgatitet në muajt e ardhshëm një proces për arritjen e paqes. Udhëheqësit e Ukrainës shqetësohen se komente të tilla janë një prelud i një raundi tjetër diplomacie që do të synojë arritjen e një armëpushimi të parakohshëm që do të “shpëtonte fytyrën” e Putinit, me koston e sabotimit të luftës së ukrainasve.
Çfarë mund të thuhet për pozitën aktuale të Putinit? Që në javën e parë të luftës, ishte më se e qartë se ai kishte bërë një gabim monumental me nisjen e pushtimit të Ukrainës. Shefat e organeve të sigurimit, iu përulën vullnetit të liderit, dhe shumë prej tyre do të ndajnë dëshirën e Putinit për ta nënshtruar Ukrainën.
Por nga ana tjetër ata po e shohin se me këtë luftë, Putini ka dëmtuar interesat afatgjata të Rusisë. Për sa kohë që ai të jetë në pushtet, ekonomia ruse do të jetë subjekt i sanksioneve. Europa do t’i japë gradualisht fund varësisë së saj nga energjia ruse, dhe pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme e njerëzve përreth Putinit nuk mund të shijohet më.
Për pasojë, pozicioni i Putinit do të jetë më i dobët. Nisja e një lufte të dështuar, nuk e forcon fuqinë e një sundimtari. Në një moment, ai mund të rrëzohet nga pushteti, edhe pse unë dyshoj nëse kjo do të ndodhë së shpejti.
Një udhëheqës rus kërkon mbështetjen aktive të shefave të tij të sigurimit, por pengesat në Ukrainë kanë futur në përplasje të fortë 2 shtyllat e regjimit të tij, Byronë Federale të Sigurisë (pasardhës i KGB-së) dhe ushtrinë, që po fajësojnë njëra-tjetrën.
Disa liderë mund të spastrohen, sipas modës së famshme ruse. Po ashtu, do të ketë pakënaqësi të shumta dhe kritika jopublike. Ukraina ka shpallur si synim humbjen e Rusisë në këtë luftë. Sërish nuk është e qartë se çfarë do të thotë kjo në praktikë.
Por në çdo rast ajo bie ndesh me apelin e Makron që Putin mos të poshtërohet. Franca i ka dhënë një mbështetje të madhe ushtarake Ukrainës, dhe i ka mbështetur sanksionet e BE-së kundër Rusisë. Por është për t’u habitur që Makron nuk ka menduar të vizitojë Kievin edhe kur kanë kaluar më shumë se 100 ditë që nga fillimi i luftës, ndërkohë që ka mbajtur kontakte të shpeshta telefonike me Putinin.
Kompanitë franceze kanë qenë ndër më ngurrueset për t’u larguar nga Rusia, ndoshta me shpresën se qëndrimi atje do të shpërblehej në të ardhmen. Në këtë situatë, nuk duhet të habitemi pse udhëheqësit e Ukrainës janë të kujdesshëm dhe të shqetësuar ndaj synimeve të Makron.
Në rast se një raund i ri i diplomacisë evropiane, e lejon Rusinë të ruajë arritjet e veta ushtarake në Ukrainë, atëherë Putini do të rifitojë forcën politike në Rusi, dhe do të ndihet i fuqizuar të nisë aventura të reja ushtarake në të ardhmen.
Ukrainasit duan të luftojnë, dhe ata kanë nevojë për mbështetjen tonë të vazhdueshme, për armë të avancuara dhe për sanksione gjithnjë e më të ashpra ndaj Rusisë. Kjo nënkupton edhe disa muaj të tjerë luftimesh të përgjakshme. Por një armëpushim i parakohshëm, vetëm sa do ta ndihmonte Putinin të arrinte një fitore pikërisht në momentin kur është shumë pranë disfatës. Asnjë udhëheqës perëndimor nuk duhet të jetë mbështetësi i tij.
Shënim: John Sawers, ish-drejtues i MI6, shërbimit sekret të Britanisë së Madhe./ Përkthyer nga CNA.al