Nga L. Skiro/ Veritas.com.al/

Prej ditësh po flitet rreth fatit të zgjedhjeve të 18 qershorit. Semplistët e kanë përqendruar analizën e tyre në paradigmën: “Nëse LSI nujk shkon në zgjedhje, atëherë qeveria bie që tani”.

Sigurisht, LSI, si koalicioniste në qeveri, ka një peshë shumë të madhe në fatin e zgjedhjeve dhe më tej: Në fatin e qeverisjes për nesër. Por vetëm semplistët mund ta kufizojnë të tërën me një pjesë të politikës- siç është edhe pjesëmarrja e LSI.

Pesha kryesore mbi vlerën e zgjedhjeve që po vijnë dhe mbi qeverisjen e nesërme, bie mbi rolin që ka marrë vetë opozita; ajo po proteston që nga 18 shkuri nën moton “Duam zgjedhje të lira e të ndershme, nën një qeveri teknike”. Kjo është promotori kryesor për zgjedhjet dhe post- zgjedhjet.

Madje Opozita është kthyer në “frymëzim” dhe motiv edhe për LSI për të “thërritur mendjen” se bën pjesë në një koalicion qeverisës të dështuar; dhe sa më parë të largohet, aq më mirë edhe për atë.

Por edhe LSI ka luajtur rolin e vajzës së bukur në fshat që e vështrojnë të gjithë. LSI si pari në koalicion me PS, prej kohësh ka nisur lojën e “pasqyrës”, një herë ka thënë se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, një herë tjetër ka bërë ndryshe. Sot LSI është regjistruar në KQZ si parti elektorale për zgjedhjet e 18 qershorit.

Por menjëherë sapo ka firmosu pjesëmarrjen, ka deklaruar se “nuk shkojmë në zgjedhje pa opozitën”. Pjesëmarrja e opozitës në zgjedhje, për LSI është kusht më shumë se nënshkrimi në KQZ. Është një kusht parimor, dhe vetë LSI deklaron se parimet e mbajnë më këmbë si parti.

Sot nënkryetari i LSI, Luan Rama, ka bërë një deklaratë me pikëpyetje të mëdha parimore. Ai ka thënë se “Nuk e mendoj që ka në Shqipëri ndonjë njeri me logjikë arsyetimi racionale, që të mendojë që në 2017 Shqipëria mund të zhvillojë zgjedhje pa opozitën”.

Por opozita, gjithë koalicioni qeveritar, ka deklaruar se nuk shkon në zgjedhje para se të realizohet qeveria teknike. Kjo do të thotë se edhe LSI nuk shkon në zgjedhje “pa opozitën” .

LSI ka fajësuar vetë maxhorancën ku bën pjesë për situatën e tensionuar politike ku “mund të mos ketë zgjedhje” në ditën e caktuar. “ Natyrisht ka një problem të madh, klasa politike në vend, sepse problemi më i madh është që është vrarë besimi, pra mungesa e besimit e krijon të gjithë këtë situatë, dhe është në përgjegjësinë e mazhorancës të demonstrojë konkretisht, hapa për të rikthyer besimin tek qytetarët në radhë të pare tek opozita, që zgjedhjet do të jenë në përputhje me standardet dhe do të garantojnë, jo vetëm shprehjen reale, por edhe leximin real të vullnetit të popullit. Shqiptarët duhet të ftohen në zgjedhje për të zgjedhur, jo thjesht për të votuar”, ka thënë përsëri Luan Rama në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Qëndrimi parimor i LSI ndaj zgjedhjeve “të shekullit 21 vetëm me opozitë”, ka alarmuar dhe ka nxehur shumë krerët e Partisë Socialiste. Numri Dy i Rilindjes, Gramos Ruçi sot ka zbrazur furi inati kundër LSI.

“Me ose pa LSI-në, PS do futet në zgjedhje si forcë fitimtare. PS është e vendosur për tu futur në zgjedhje. E kemi shprehur që duam të jemi në koalicion me LSI-në në të ardhmen. LSI-ja nuk ka folur për këtë gjë. Opozita e ka marrë përgjigjen nga SHBA-ja, Merkel” mësohet të ketë thënë Ruçi.

Gramoz Ruçi para qëndrimit parimor të LSI është sforcuar të bëjë rolin e politikanit “të lexuar” dhe ky i merr dituritë nga Amerika e nga Gjermania. Por në qoftë se LSI nuk shkon në zgjedhje “pa opozitën”, kuptohet që këto “dituri” të marra nga gazetat, nuk i vlejnë qeverisë së PS.

/Veritas.com.al/