Koment: Veritas/

Lëvizja Socialiste (LSI), ose u lodh në opozitë, ose e plotësoi ciklin ‘biologjik’ të teatrit si opozitë. Ka ardhur koha që të shtrojë rrugën për në qeverinë e radhës. Tani që ka humbur çdo energji për në opozitë dhe çdo shpresë se me PD mund të fitojë zgjedhjet, LSI ka nisur kthesën për të hyrë në qeverinë Rama. Opozita është jashtë natyrës së LSI.

Por kësaj here e ka tepruar me sharje kundër Edi Ramës- kryetar i PS dhe kryeministër, prandaj i duhet të përpunojë taktikën e ‘ujkut të përrallës’ që hyn nga oxhaku. Zonja Kryemadhe, kryetare ‘de jure’ e LSI ka përpunuar taktikën e hyrjes nga dritarja ku ndodhet Erjon Veliaj.

Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe bashkëpunëtori më i afërt i Edi Ramës- kryetar i qeverisë. Dje, zonja Kryemadhi, i ka lëshuar qilimin e kuq zotit Veliaj, por në fakt zotit Rama. As qe mund të mendohet se ‘Veliaj nuk është edhe Rama’.

Monika Kryemadhi ka deklaruar sot se Erion Veliaj nuk është i përfshirë me kriminelë ashtu siç është i përfshirë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.  Sipas saj, kryetari i bashkisë së Tiranës ka punuar për qytetin.

“Veliaj nuk është i përfshirë me kriminelë. Përveç teatrit dhe Unazës së madhe që po e detyron Rama, për Veliajn nuk mund të thuash që nuk ka punuar. Erion Veliaj me këta kriminelët nuk përfshihet. Edi Rama është nën presion nga këta kriminelë”, tha Monika Kryemadhi në Televizionin Klan.

Zonja Kryemadhi e lëshon ‘qilimin’ në publik, duke menduar se gjen terren të përshtatshëm; ajo bazohet në gosipin se ‘Rama do ta hajë Veliajn’ në zgjedhjet që vijnë. Vetë Kryemadhi, si politikane, me siguri e di se mes kryetarit të qeverisë dhe kryeministrit ka një lidhje monolite e të pandashme. Gjithçka bëhet për qytetin e Tiranës ( që Monika e çmon), bëhet me kujdesin e Ramës, madje edhe me shijet e tij. Veliaj, sigurisht që e ka pranuar këtë bashkëpunim dhe rol pranë Ramës.

Kryetarja e LSI, pasi lavdëron punën e Veliajt për Tiranën, e ka të thjeshtë që në një moment të afërt të deklarojë: “O, po, e dimë, këtu është dora e Ramës. Rrroftë Rama!”.

Kjo është dritarja ku po pret të hyjë LSI për në qeverisjen ‘Rama’.

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka deklaruar se Rama do të kërcënohet politikisht nëse do ta rikandidojë sërish për postin e kryetarit të bashkisë, Erion Veliajn. Edhe kësaj here, LSI i konsideron të gjithë njerëzit ‘të verbër’ e të shurdhër, për të mos thënë edhe ‘me inteligjencë shumë të ulët’. Kryemadhi përdor gosipin e shtresave të ulëta sikur ‘Rama nuk e do Veliajn’ për t’u imponuar të gjithë shoqërisë. Nesër kur të jetë pjesë e qeverisë ‘Rama’, LSI do të duket se ishte aty ‘natyrshëm’ për arsye të ‘Veliajt’.

VERITAS.COM.AL/