Frrok Çupi/

Sot pasdite, dy ambasadorët e aleatëve më të mëdhenj, SHBA dhe BE, kanë trokitur te Presidenti i Republikës, zoti Nishani. Presidenti iu ka dhënë audiencë që nga ora 4 pm, rreth gjysmë ore.

Vallë pse këta dy miq trokasin te Presidenti, kur deri më tani as e kanë përfillur këtë zyrë? Kjo është çështja kryesore. Zoti Lu dhe zonja Vlahutin njihen si dy miq të ngushtë të kryeministrit Rama dhe nuk kanë pasur “nevojë” kurrë për presidentin e Republikës. Hera e parë dhe e fundit, pas letrave kredenciale, zoti Lu trokiti në derën e presidentit të Republikës ditën kur hyri në gojën e mediave botërore për shkak të sulmit publik që i bëri Prokurorit të Republikës. Në atë rast vetë presidenti dhe kryetari i Kuvendit mbajtën anën e Prokurorit dhe të institucioneve kushtetuese. Ambasadori priti “për nesër” pasdite sa të kthehej kryeministri nga Kosova dhe u ankua te ai.

Sot, pas 19 ditësh që nga sulmi mbi prokurorin e Përgjithshëm, zoti Lu troket përsëri në zyrën e Presidentit. Pse?

Sepse ka ndryshuar gjithçka që nga dita kur zoti Lu ndihej i gjithëfuqishëm kundër prokurorit dhe opozitës. Kryetari i PD që udhëheq protestën tha se “asgjë nuk do të jetë siç ka qenë”.  Kjo është edhe doktrina e presidentit Donald Trump. Të gjitha gjërat ndryshuan për shkak të protestës popullore “të pabesueshme” për ambasadorët. Besoj se kjo është arsyeja që ambasadorët trokasin në derën e presidentit; të tronditur për të kuptuar çfarë po ndodh?  Të dy këta ambasadorë nuk e duan ndryshimin këtu.

Sot zonja Vlahutin kishte mysafir një nga shefat e saj në BE, reporterin Knut Frencenstein; i cili me siguri është i pafuqishëm për t’i dhënë komoditetin e duhur. Para së gjithash, se tashmë BE nuk është më i fuqishëm ndaj vendeve të Lindjes; dhe, se një investigim i nisur nga zyrat e Brukselit mbi një aferë korruptive të ambasadores në Tiranë, e mban larg saj reporterin e BE. Ky është shumë i vogël për të mbajtur pesha kaq të mëdha. Në Tiranë kishte ardhur vetëm për t’i bërë qejfin qeverisë.

Qendra e  protestës popullore ndodhet vetëm pak metra larg zyrës së Presidentit; aty ku bashkohen dhe ndahen selia e qeverisë nga selia e Kuvendit. Krerët e këtyre dy institucioneve janë edhe aleatë, edhe armiq të betuar- njëkohësisht. Me rastin e protestës popullore që kërkon largimin e qeverisë, kryetari i Kuvendit dhe LSI mund të distancohen nga aleati- PS. Atëherë qeveria bie para se të mbarojë protesta. Kësaj i druhen dy ambasadorët, që me siguri vijnë te presidenti si të dërguar nga kryeministri Rama. Këta e dinë se Bujar Nishani- president, i përket krahut të djathtë të politikës dhe prandaj kërkojnë të hedhin ura me protestuesit nëpërmjet presidentit.

Sebepi për të trokitur në derën e Presidentit, me siguri është “Reforma”. Reforma në Drejtësi është përdorur edhe nga qeveria si ligj për të dënuar kundërshtarët dhe për të mbrojtur qeverinë. Jo vetëm nen për nen, por si “libër i Kuq” në revolucion. Qeveria dhe ambasadorët kanë shpallur armik cilindo që nuk është dakord me reformën… Çfarë reforme është kjo që shpall armiq?! Me siguri ambasadorët i kanë kërkuar presidentit: “rolin tuaj për të prurë deputetët e PD në komisione”; dmth., të prishet protesta. Edhe në këtë rast Reforma shërben si “Libër i Kuq”, për të shpërndarë protestën popullore kundër qeverisë.

Ambasadorët Lu dhe Vlahutin janë dy ambasadorë pa “qendër”. I pari është i dërguar i presidentit Obama, i cili ka lënë Shtëpinë e Bardhë dhe është vendosur 2 milje larg Shtëpisë së Bardhë dhe sipas medias po bën “presidencë paralele” përballë presidentit Trump.  Lu nuk ka njoftuar cilit president i përket, përderisa asnjëherë nuk ka përmendur presidentin Tump dhe as ka dhënë ndonjë njoftim në emër të tij. Ndërsa zonja Vlahutin përfaqëson BE që ndodhet në krizë; por kjo edhe vetë përballon një moment krize për shkak të një vile të blerë “dyfish i çmimit”- sipas NewEuropë. Misioni i tyre është shumë i vështirë në këto rrethana, aq më shumë që sipas të dhënave të dy mbajnë anësi politike në favor të qeverisë. Trokitja te Presidenti mund të shërbejë si qetësim shpirtëror.

/Veritas.com.al/